TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot paradite një takim pune në zyrën e tij me Drejtorin e Përgjithshëm të ODIHR-it, Janez Lenarçiç, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë, në kuadër të monitorimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Gjate takimit, Lenarçiç informoi për punën konkrete dhe monitorimet që do të vijojë të kryejë misioni i vëzhguesve në rang vendi dhe për raportin paraprak me të cilin ODIHR-i do të dalë në përfundim të këtyre zgjedhjeve vendore.
“Kodi Zgjedhor përbën një themel të kompletuar teknik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, porse ajo që nevojitet më së shumti është angazhimi i partive politike për të respektuar qëllimin e ligjit”- tha ai.
Sipas tij, respekti për institucionet e shtetit, shprehja e maturisë dhe e ekuilibrit është e një rëndësie jetike për të sotmen dhe të ardhmen integruese evropiane të Shqipërisë.
Nderkaq, kreu i shtetit vlerësoi angazhimin dhe punën e pakursyer të ODIHR-it me dërgimin e një misioni të gjerë vëzhgimi, për të ndihmuar jo vetëm në mbarëvajtjen e procesit përgatitor të zgjedhjeve të 8 majit, por edhe në realizimin me sukses të tyre.
“Përfundimi i zgjedhjeve sipas rregullave ligjore e brenda standardeve demokratike, e sidomos pa incidente, mbetet me mjaft rëndësi për të ardhmen e vendit dhe të shtetasve shqiptarë, për forcimin e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e institucioneve shtetërore.” – u shpreh Presidenti Topi gjatë takimit.
© Panorama.al











