Proceset zgjedhore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në udhëheqjen administrative dhe politike të vendit, organizohen nën klimën e dhjetëra njerëzve, të cilët për ditë me radhë braktisin familjet për të ushtruar më përpikëri detyrën që u është ngarkuar.Ndonëse përballë një lodhjeje të madhe fizike dhe psikike, këta njerëz përpiqen ta administrojnë procesin deri në fund me korrektësi, më qëllim që të respektohet vota e çdo qytetari. Një ndër dhjetëra qindra persona që merren me infrastrukturën e procesit zgjedhor është edhe Zhyljen Vari. Ai udhëheq Komisionin Zonal Administrativ Zgjedhor Nr. 8, në qytetin e Durrësit. 53-vjeçari, baba i tre fëmijëve, që prej 6 ditësh ka braktisur familjen e tij në Tiranë për të drejtuar procesin zgjedhor për Bashkinë e dytë më të madhe në vend, atë të Durrësit.
Z. Varfi, sa ditë keni larg familjes dhe si po e përballoni këto ditë këtë fluks pune?
U bë një javë që jam larguar nga shtëpia. Komunikimi im i vetëm me familjen është telefoni. Gjatë gjithë këtyre ditëve nuk i kam parë, por vetëm i kam pyetur me telefon se si janë. Ndonëse administroj një volum të madh pune dhe gjatë gjithë ditës jam i zënë, largësia nga njerëzit e mi më të dashur më mban në presion gjatë gjithë kohës. Përveç mallit, kryesisht për tri fëmijët, një tjetër detaj që më mungon nga shtëpia është hapësira ime ku gjej çlodhje.
Keni një javë larg familjes dhe komunikoni vetëm me telefon. Sa herë në ditë gjeni kohë t’i telefononi ata?
Në fillim gjeja kohë dhe i telefonoja tri apo katër herë në ditë, por ditët e fundit telefonatat janë shtuar mbi shtatë-tetë herë në ditë, ndonëse dhe nga familja më vijnë telefonata të shumta e më vënë në dijeni të gjithçkaje që ata bëjnë dhe si janë. Ky proces më lehtëson dhe më çlodh. Më besoni, është shumë e rëndësishme për mua të di se si e kalon çdo ditë familja ime, gruaja dhe fëmijët. Në këtë aspekt këto ditë jam ndier afër familjes, pavarësisht se malli për ta nuk mund të shuhet nëpërmjet telefonit. Nëpërmjet telefonit bisedoj me ta për shumë gjëra, për shembull, me fëmijët për shëndetin, shkollën, rezultatet në mësime, për aktivitetet e ndryshme ku ata marrin pjesë, për ndonjë problem me të cilin janë ndeshur e shumë e shumë gjëra të tjera. Pas bisedës së gjatë me fëmijët, të cilët më tregojnë me hollësi ditën e tyre, interesohem edhe për bashkëshorten, për shëndetin e saj, punën, nëse është lodhur vetëm duke u kujdesur për fëmijët, për shtëpinë e gjithçka tjetër, pasi, siç thashë, u bë një javë larg familjes dhe bashkëshortja ime, Anila, po mban mbi vete të gjitha përgjegjësitë, që zakonisht ne i ndajmë bashkë.
Ju thatë që administroni një volum të madh pune. Por lodhjen a presionin që hasni gjatë këtij procesi, si e administroni?
Vërtet më mungon shtëpia për të pushuar, madje kam një javë që nuk lahem dhe nuk ndërrohem, por pas gjithë kësaj kohe më duket sikur kam krijuar imunitet ndaj çdo lloj presioni që vjen te unë në forma të ndryshme. Përgjatë gjithë këtyre ditëve, salla e pallatit të sportit “Ramazan Njala”, ku po bëhet procesi i numërimit, është kthyer në shtëpinë time. Karrigia është kthyer në vend pushimi dhe gjumi, tavolina ka zëvendësuar jastëkun në orët që mundemi të bëjmë pak pushim, ndërsa si ushqim dhe pije kryesojnë picat dhe uji. Por, ndonëse ky proces zgjati, kam mundur ta kem nën kontroll situatën, si atë të punës, ashtu dhe atë fizike dhe shpirtërore.
Keni pasur konflikte këto ditë gjatë numërimit mes komisionerëve?
Vetë procesi i numërimit shkakton presione ndërmjet të dy palëve. Gjatë këtyre ditëve ka pasur presione të tilla psikologjike, por fatmirësisht, procesi i numërimit ka shkuar pa konflikte e incidente që mund të konsideroheshin të rënda. Edhe personat që kanë marrë pjesë në procesin e numërimit kanë ruajtur gjakftohtësinë, duke mos u përfshirë emocionalisht nëse herë pas here do të kishte luhatje të votave, herë në favor të njërit kandidat, e herë në favorin e kandidatit tjetër. Gjithçka ka shkuar mirë, por lodhja jonë ka qenë tepër e madhe, pasi kemi qëndruar thuajse ditë e natë për ta mbaruar procesin dhe për të pasur sa më shpejt fituesin e Bashkisë.
Komisionerët, 4 ditë në presion e lodhje
Numëruesit dhe komisionerët që kanë marrë pjesë gjatë këtyre ditëve në procesin e numërimit kanë përjetuar të njëjtën situatë sikurse edhe Zhyljen Vari. Ata kanë lënë familjet, fëmijët e tyre për katër ditë, duke qëndruar në këmbë, në mbrojtje të votës së secilit prej kandidatëve që garuan për postin e kreut të Bashkisë së Durrësit. Situata përgjithësisht është paraqitur e qetë dhe nuk ka pasur mosmarrëveshje ndërmjet komisionerëve, të cilët ishin ndërgjegjësuar se ajo që ata duhej të bënin, ishte të mbaronin shpejt dhe me përpikëri këtë proces numërimi.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











