
Maxhoranca rrëzon propozimin e Presidentit Topi për të emëruar Sali Shehun si kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ekonomisë, 11 deputetë të Partisë Demokratike kanë votuar kundër Shehut, ndërsa Sherefedin Shehu ka abstenuar. Nga ana e saj, opozita kërkoi që të mos votohej në Komision, duke pretenduar se në Parlament votimi do të bëhet i fshehtë dhe vota në mbledhjen e djeshme tregonte qëndrimin që do të mbahej. Gjatë debatit rreth 90 minuta, deputetët e PD-së u shprehën se ish-kolegu i tyre nuk i përmbush kriteret ligjore për të drejtuar në shtatë vitet e ardhshme KLSH-në. Sipas Igli Carës, CV-ja e Shehut nuk është e përshtatshme për këtë post. “Lidhur me atë çka dëgjova dhe çka shoh në CV-në tuaj, mendimi im është që do të isha krenar që t’ju kisha në krah në luftën tonë pranë Partisë Demokratike dhe sinqerisht ju shoh më mirë në PD, sesa kryetar të KLSH-së. Duke u nisur nga CV-ja dhe çfarë thatë, mendoj që nuk i plotësoni kushtet për të qenë kryetar i KLSH-së”, u shpreh Cara.
Ndërsa Flamur Noka tha se Sali Shehu është ende anëtar i Partisë Demokratike dhe, sipas ligjit për KLSH-në, kreu i këtij institucioni nuk duhet të jetë i angazhuar politikisht. “Unë gjykoj që kandidatura juaj përsa u përket kritereve është në konflikt me ligjin, sepse te kriteret e papajtueshmërisë, krahas ligjit që përmenda, 8270, që flet për 10 vjet në fushën e ekonomisë, financës apo juridikut, që ne gjykojmë që nuk plotësohet, është edhe pika e dytë, e cila flet që ju jeni akoma dhe sot anëtar i PD-së; dhe një tjetër lidhet me politizimin. Ne mirëpresim kontributin tuaj, por kandidatura ka konflikt me ligjin”, tha Noka.
Argumenti i tretë i PD-së për rrëzimin e kandidaturës së Sali Shehut është fakti që Presidenti nuk është konsultuar me Kuvendin për këtë kandidaturë. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, iu referua një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për këtë rast. “Mendimi i maxhorancës është që nga pikëpamja profesionale, kandidatura juaj do të ishte shumë e mirë për një fushë tjetër, por jo në fushat e kontrollit financiar dhe ekonomik. Maxhoranca mendon që ka dhe një arsye tjetër që ka të bëjë me konsultimet e Presidentit me Parlamentit në emërimet e kandidatëve për organet kushtetuese, dhe si maxhorancë mendojmë që Presidenti s’e ka zbatuar këtë kërkesë të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është një arsye më shumë që maxhoranca nuk është dakord me dekretin e Presidentit”, tha Spaho.
HARASANI
Ndryshe nga deputetët e PS-së, që u larguan gjatë votimit, Andis Harasani qëndroi në mbledhjen e Komisionit, por nuk mori pjesë në votim. Ai ironizoi faktin që deputetët e PD-së e vlerësuan Shehun si të aftë dhe të përkushtuar ndaj partisë, duke thënë se: “Ajo çka dëgjova, kam komentin tim lidhur me fjalën e tre kolegëve të mi, zotit Noka, Cara dhe Spaho. Siç kuptova, që zoti Shehu qenka shumë i aftë, shumë i mirë, që do donit ta kishit në PD, por nuk doni që ky njeri kaq i mirë, i aftë dhe i përkushtuar të drejtojë një institucion të pavarur dhe të rëndësishëm si KLSH-ja, që për mua është në çakordancë”.
Sherefedin Shehu: Vota abstenim, vendim personal
Në votimin e djeshëm në Komisionin e Ekonomisë, i vetmi nga maxhoranca që nuk ka votuar pro rrëzimit të kandidaturës së Sali Shehut për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ishte deputeti i qarkut të Dibrës, Sherefedin Shehu. I kontaktuar nga gazeta, ish zv.ministri i Financave tha se ky ishte një vendim personal. “Është një vendim personal. Janë vetëm lidhjet e mia me Saliun”, tha Shehu. I pyetur se çfarë qëndrimi do të mbajë në seancën parlamentare kur të votohet për dekretin e kreut të shtetit, Sherefedin Shehu la të kuptohet se mund të votojë kundër kandidatit për kreun e KLSH-së nëse votat do të jenë të ekuilibruara. “Në seancë do ta shikoj si janë raportet”, u shpreh Shehu. Sipas Rregullores së Kuvendit, pas ndryshimeve që ajo pësoi vitin e kaluar, dekretet e kreut të shtetit kalojnë me votim të hapur.
TAKIMI
Në përfundim të mbledhjes në Komisionin e Ekonomisë, kandidati për kreun e KLSH-së, Sali Shehu, ka dalë nga ambientet e selisë së Kryesisë së Kuvendit dhe është takuar me ishministrin e Mbrojtjes, njëherësh një mbështetës i Bamir Topit, Gazmend Oketa. Shehu e Oketa kanë konsumuar një kafe së bashku në një ambient të hapur në lokalet e zonës së ish-Bllokut.
© Panorama.al











