Krerët e 17 bashkive të majta: Hiqni moratoriumin e skafeve

Jun 3, 2012 | 12:33
Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako

Drejtuesit e bashkive dhe komunave të majta në vend, që kanë nën administrimin e tyre territore me vijë bregdetare, kanë dalë kundër lënies në fuqi të ligjit të moratoriumit. Me anë të një deklarate të përbashkët të lexuar nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, ata mbështetën amendimin e Grupit Parlamentar të PS-së për shfuqizimin e Moratoriumit të Mjeteve Motorike Lundruese, pasi kjo sipas tyre po dëmton rëndë turizmin. Nëpërmjet kësaj deklarate, ata kërkuan që përfaqësuesit parlamentarë të shfuqizojnë këtë Moratorium që, sipas tyre, vazhdon të penalizojë vendin, por sidomos zonat turistike me bregdet. Mësohet se gjatë takimit, kryetarët vendorë janë shprehur njëzëri kundër moratoriumit të skafeve, që vijon të jetë në fuqi që në vitin 2005. “Moratoriumi dëmton rëndë sezonin turistik, ndërsa ndikon dhe në ekonominë e shumë operatorëve turistikë, të cilët e shfrytëzojnë sezonin veror për përfitim të tyre”, u shpreh dje kryebashkiaku Dako teksa publikoi letrën drejtuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. “Shfrytëzimi i vijës së detit nga banorët e zonave nuk është thjesht një mundësi më shumë, por një burim jetik e strategjik i ekonomisë së tyre”, u shpreh më tej Dako. Në emër të të zgjedhurve vendorë të Partisë Socialiste në Durrës, Vlorë, Sarandë, Fier, Lushnjë, Himarë, Orikum, Pogradec, Divjakë, Konispol, Kavajë, Velipojë, Shëngjin, Ishëm, Golem, Kryevidh, Ksamil, Dako deklaroi se kanë dalë tashmë në mbështetje të mendimit të Grupit Parlamentar të PS-së për shfuqizimin e Moratoriumit të Mjeteve Motorike Lundruese, si një ligj i cili ka penalizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ekonomitë e bizneset në të gjitha njësitë e mësipërme.

Votimi në Komisionin e sigurise
Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare ka hedhur poshtë projektligjin e Partisë Socialiste për shfuqizimin e moratoriumit të skafeve. Amendamenti i propozuar nga deputeti Artan Gaçi, mori 10 vota kundër dhe nëntë pro nga anëtarët e Komisionit të Sigurisë. Debati për nismën e socialistëve, që kërkojnë heqjen e moratoriumit të skafeve, do të vijojë këtë javë në Komisionin e Ligjeve dhe më pas do të votohet në seancën plenare.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura