Kremlini kundër propozimit evropian për planin e paqes në Ukrainë: Jokonstruktiv dhe i papranueshëm për Moskën

Nov 24, 2025 | 17:51

Kremlini deklaron propozimi i evropianëve ndaj planit të paqes prej 28 pikash të SHBA-së për Ukrainën nuk është konstruktiv dhe se nuk funksionon për Moskën.

Putini

Reagimi vjen pas shqetësimeve të ngritura në Kiev dhe në kryeqytetet evropiane se Uashingtoni mund të ketë bërë lëshime ndaj kërkesave të Moskës.

Këshilltari për politikën e jashtme i Kremlinit, Yuri Ushakov, u shpreh në Moskë se propozimi i përpunuar nga vendet evropiane ndryshon thelbin e disa prej pikave më të ndjeshme të planit amerikan.

“Plani evropian, në shikim të parë… është plotësisht jokonstruktiv dhe nuk funksionon për ne”, tha Ushakov për gazetarët.
Sipas një dokumenti të parë nga Reuters, varianti evropian modifikon ndjeshëm formulimet që lidhen me NATO-n dhe çështjet territoriale, elemente të cilat përbëjnë thelbin e kërkesave të Rusisë.

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi të premten se plani amerikan mund të përdoret si bazë për një marrëveshje paqeje, por paralajmëroi se nëse Kievi e refuzon, forcat ruse “do të lëvizin më tej”.

Ushakov theksoi se Moska e sheh me pozitivitet pjesën më të madhe të propozimeve amerikane:

“Jo të gjitha, por shumë pozicione të këtij plani na duken mjaft të pranueshme. Disa kërkojnë diskutime më të detajuara.”

Publikimi i planit 28-pikësh nga SHBA javën e kaluar shkaktoi reagime të forta në Ukrainë dhe Evropë, mes frikës se Uashingtoni mund të pranonte disa nga linjat e kuqe të Rusisë për NATO-n dhe për statusin e territoreve të pushtuara.

Ndërkohë, përplasjet diplomatike mbi versionet e ndryshme të planit tregojnë se rruga drejt një marrëveshjeje paqeje mbetet e vështirë dhe e mbushur me mosbesim mes palëve.

© Panorama.al

Te lidhura