PRISHTINE- Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë në një intervistë për Infopress se procesi ndaj deputetit dhe ish Ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj është i politizuar.
Ai po ashtu ka folur për paralajmërimin e deputetit Fatmir Limaj për ngritje të padisë kundër Qeverisë së Kosovës dhe PDK-së, ndërkohë ka vlerësuar se vendimi i gjykatës, i cili ka konfirmuar aktakuzën për dhjetë ish – pjesëtarët e UÇK-së, ka qenë i politizuar.
Krasniqi ka folur edhe për sistemin e drejtësisë që sipas tij ai dëshiron që të duket me real dhe jo i politizuar .
“Sistemi i drejtësisë është i ndarë. Realisht sistemi i drejtësisë së Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë dhe si duket vazhdon të jetë mjaft i politizuar. Në kontinuitet në të gjitha pozitat që i kam pasur dhe në pozitën që kam, kam kërkuar nga politika që mos të ndërhyjë në çështjet e sistemit të drejtësisë”, ka thënë ai.
Në lidhje me konfirmimin e aktakuzës për 10 ushtarë të UÇK-së, Krasniqi shpreson që gjykimi të shkon si duhet. “Shpresoj që në fund vendimi i gjykatës do të jetë mbi bazën e ligjeve, fakteve, mbi bazën e dëshmive, jo mbi bazën e dëshirave të personave qoftë të brendshëm apo të jashtëm”, ka thënë ai.
Në lidhje me padinë që Limaj e ka paralajmëruar për Partinë Demokratike të Kosovës dhe Qeverinë, Krasniqi mendon se nuk do të ndodh kjo.
“Jo nuk mendoj që z. Limaj do të ngritë padi ndaj Qeverisë apo PDK-së. Limaj ka të drejtë të ngritë padi dhe t’i kundërshtoj aktakuzat kushdo që i ka ngritur kundër tij, kjo është e drejtë legjitime dhe mendoj që ai e ka bërë dhe do ta bëj edhe në të ardhmen”.
Në fund të intervistës Krasniqi ka folur edhe për imunitetin e deputetëve që sipas tij, “Kushtetuta përcakton qartë detyrat e të gjitha institucioneve të Kosovës, edhe të Qeverisë, Kuvendit dhe Presidentit në raport me referimet që këto institucione i bëjnë Gjykatës Kushtetuese”.
© Panorama.al











