KQZ vendos për hapjen e kutive të votimit

May 17, 2011 | 9:53

Për herë të parë pas debatit dyvjeçar për hapjen e kutive, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve merr një vendim me katër vota për të hapur kutitë në një bashki për zgjedhjet e 8 majit.Në mbledhjen e djeshme, me gjithë votën kundër të opozitës, është vendosur të hapen kutitë e materialeve zgjedhore dhe të Këshillit Bashkiak për Bashkinë e Rrëshenit. Kjo erdhi pas një kërkese ankimore të Partisë Demokracia Sociale, Partisë Aleanca Popullore dhe një kandidati të pavarur.
Kërkesa
Kreu i PDS-së për Mirditën, Gjon Marku, ishte votues në qendrën e votimit 0831. Marku së bashku edhe me dy zyrtarë të tjerë të kësaj partie që votonin në të njëjtën qendër, ishin edhe në listën e kandidatëve për këshilltarë në Këshillin Bashkiak të Rrëshenit. Pas leximit të votës në monitor, ka rezultuar se PDS-ja në fletën e votimit për Këshillin Bashkiak ka marrë 40 vota. Fillimisht kryetari i KZAZ-së është shprehur publikisht se kjo parti ka marrë 27 vota, ndërkohë që në tabelën përfundimtare të kësaj qendre, PDS-ja ka dalë me zero vota. “Kryetari i PDS-së, dega Mirditë, ka pasur qendër të tij të votimit pikërisht qendrën e votimit Nr. 0831, ku ka votuar ai personalisht dhe familjarët e tij për subjektin zgjedhor PDS. Si është e mundur që në tabelën e rezultateve të grupeve të numërimit për këtë qendër votimi, subjekti zgjedhor PDS rezulton me zero vota? Ku ndodhet fleta e votimit për subjektin zgjedhor PDS nga vetë kryetari i degës së Mirëditës?”, thuhet në kërkesën ankimore të PDS-së. Në mbledhjen e djeshme, kryetari i kësaj partie ka sjellë gjithashtu deklaratën noteriale të tijën dhe të dy këshi-lltarëve të tjerë, të cilët kanë deklaruar se kanë votuar për PDS-në në qendrën ku kjo forcë ka dalë me zero vota. Përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, tha se për këtë rast PDS-ja ka pasur si numërues dhe komisionerë përfaqësuesit e Partisë Socialiste, falë koalicionit parazgjedhor. Sipas Kosovrastit, nëse votat e PDS-së do t’i merrte PD-ja, socialistët nuk do ta lejonin këtë fakt, pasi ulej numri i votave të koalicionit të tyre. Kjo arsye, shtoi më tej përfaqësuesi i PD-së, të çon në bindjen se votat i ka marrë PS-ja. Pas paraqitjes së provave, anëtari i KQZ-së Klement Zguri tha se “po të ishte vetëm një subjekt, mund ta kisha refuzuar hapjen e kutisë, por është një kuti votimi që e pretendojnë tre subjekte njëherësh. Edhe KQZ duhet të kuptojë se çfarë po ndodh te vendi i numërimit të votave, a janë të besueshëm këta komisionerë apo funksionojnë në bazë të interesave të tyre. Jam për ta hapur, për këtë qendër votimi, dhe jo për ta mbyllur këtu kërkimin e provës”. Në atë linjë ishin edhe anëtarët e djathtë në KQZ, ndërsa për të majtët provat ishin të pamjaftueshme. “Këtu ka pasur edhe raste kur gruaja nuk ka votuar për burrin. Ai mund të mos ketë votuar për partinë e tij. Kjo nuk është provë”, tha Pandeli Varfi. Në fund, Ristani u shpreh se provat e paraqitura janë të mjaftueshme për të hapur kutitë ku te materialet zgjedhore do të merret lista e votuesve nga ku do të vërtetohet nëse tre zyrtarët e PDS-së kanë votuar dhe më pas do të numërohen votat e Këshillit Bashkiak. Gjatë mbledhjes së djeshme, u pranua gjithashtu një kërkesë e LZHK-së për të hapur kutinë e materialeve zgjedhore në komunën Shushicë të Vlorës, ku rezulton se zgjedhësit kanë votuar pa paraqitur pasaportën apo kartën e identitetit. Vendimi i tretë i kësaj natyre është në Gur të Zi, në Qarkun e Shkodrës, ku pas një ankimimi të PD-së për një kuti votimi, e cila ishte me tre kode, nga pesë që ka kutia, u vendos të këqyren materialet.

Rrëzohet PD për Poliçanin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar me 6 vota pro dhe një kundër të Hysen Osmanit, kërkesën ankimore të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për Bashkinë Poliçan. Pretendimet e përfaqësuesit të Çaush Qatos kishin të bënin me një qendër votimi, ku 25 fletë votimi janë deklaruar të pavlefshme, ndërkohë që nuk kanë qenë të tilla. Ndërsa në një qendër tjetër, ku rezultati ka qenë 312 vota për kandidatin e djathtë dhe 298 për kandidatin e majtë, kanë përfunduar në favor të këtij të fundit.
KQZ-ja vlerësoi se provat e paraqitura nuk ishin të mjaftueshme për të pranuar ankimin e kandidatit.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura