Kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar edhe pas takimit të Bordit të Përbashkët Koordinues për Sundimin e Rendit dhe Ligjit se aktivitetet për shtrirjen e sovranitetit në gjithë vendin do të zhvillohen në koordinim të plotë mes autoriteteve vendore dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë.
Duke ofruar mbështetjen e plotë për Bordin e Përbashkët Koordinues, Thaçi ka thënë se përkundër të arriturave ende mbetet shumë punë për t’u bërë në zbatimin e ligjeve dhe agjendës evropiane.
“Shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës, zbatimi i plot i ligjeve, zbatimi i agjendës evropiane, janë disa nga sfidat që ne ballafaqohemi çdo ditë dhe kërkojmë përkushtim dhe angazhim të përbashkët të gjithëve. Zbatimi i ligjeve, luftimi i dukurive negative, si krimi i organizuar, korrupsioni mbeten plagë të rënda për shoqërinë dhe shtetin tonë, andaj iu inkurajojë që të gjithë së bashku të përkushtohemi maksimalisht për luftimin e këtyre dukurive”, ka thënë ai.
Ndërsa shefi i Misionit EULEX, Xavier Bout de Marnhac ka thënë se do të jenë të përkushtuar që në bashkëpunim me të gjitha autoritetet relevante të ndikojnë në përmirësimin e mëtutjeshëm të jetës së qytetarëve në Kosovë.
“Derisa vëmendja e ndërkombëtarëve dhe e publikut është e përqendruar në veri, e di se kemi shumë përpjekje për të përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët e Kosovës. Mbledhja e JRCP na lejon t’i bëjmë prioritet, disa iniciativa për vitin e ardhshëm. Qëllimi kryesor sot është t’i trajtojmë prioritetet. Fokusi i veçantë do të jetë në trajtimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, trafikimi i drogës, reformimi i sistemit gjyqësor dhe mbrojtja e shoqërisë përmes inspektimit më të mirë të ushqimit dhe mallrave”, tha Marnhac.
Kurse kryeministri Hashim Thaçi u përgjigj në pyetjet e gazetarëve lidhur me zhvillimet e fundit në vend, por nuk ka dhënë ndonjë afat se kur do të ketë sundim të ligjit edhe në veriun e Kosovës.
Ai ka thënë se po punohet për agjendë shumë të qartë dhe se gjithçka do të jetë transparente, prandaj edhe informimi i opinionit publik do të bëhet me kohë.
“Ne jemi duke punuar që të kemi një agjendë shumë të qartë, gjithashtu edhe periudhën kohore, kështu që gjithçka do të jetë transparente”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, edhe në veri do të ketë edhe demokraci, do të ketë edhe zgjedhje të lira dhe lidership, që do të jetë nga vullneti i qytetarëve dhe në bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve qendrore, si në të gjitha hapësirat tjera të Kosovës. (Express)
© Panorama.al











