Kosovë-Serbi, OK takimi i parë

Mar 10, 2011 | 9:37

Nuk janë zgjidhur të gjitha çështjet e  diskutuara, por është arritur diçka dhe janë lënë të hapura dyert për takime të tjera. Palët janë shfaqur më konstruktive se takimet e mëparshme. Edhe raundi i dytë i bisedimeve u zhvillua në zyrën e këshilltarit të shefes diplomatike të BE-së(Ashton), Robert Kuper. Sipas zyrtarëve të BE-së, pritet që në përgjithësi në dialog të shtrohen rreth 20 tema që duhet të zgjidhen. Ndërsa të martën pasdite, takimi ka zgjatur rreth dy orë dhe u diskutua për librat e amzës dhe kadastrat, dje takimi që nisi në orën 09:50 dhe përfundoi në orën 15:30 ka prekur temat e doganave, hapësirës ajrore, si dhe CEFTA-n. Kryetarja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se bisedimet kanë shkuar mirë. Edhe shefi i delegacionit serb, Borisllav Stefanoiviç, ka shprehur kënaqësinë me bisedimet, duke i cilësuar ato konstruktive, dhe duke shtuar se disa çështje janë pranë zgjidhjes. Ai ka thënë se është biseduar për telekomunikimin, trafikun ajror, vulat doganore, kadastrat dhe regjistrat civilë. Të dy palët kanë komunikuar të relaksuar, në zyrën e lehtësuesit të BE-së, Robert Kuper. Përveç tij, në takim ishte i pranishëm edhe zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Tomas Kantrimen, bashkë me një koleg nga departamenti i Shtetit. Përkrah Kuper ishte edhe drejtori i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Pierre Mirel. Përfaqësuesi i DASH, Tomas Kantrimen, ka sqaruar se në takim do të marrë pjesë në cilësinë e “mysafirit”. Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë ishin përfaqësuar me nga tre anëtarë. Zonja Tahiri ka komunikuar në gjuhën angleze me delegacionin serb. Ajo ka shprehur kënaqësinë në emër të saj dhe të Republikës së Kosovës, që po takohet me ta. Ndërsa kryetari i delegacionit serb, Stevanoviç është shprehur se Qeveria e Kosovës e ka zgjedhur mirë kryetaren e delegacionit, duke e vlerësuar Tahirin si negociatore me përvojë dhe me dije. Në tryezë nuk ka pasur asnjë simbol identifikues të vendeve pjesëmarrëse. Ndërkohë që Tahiri fliste për shtetin dhe Republikën e Kosovës, Stefanoviç përdorte terminologjinë e dikurshme, Kosovë e Metohi. Zyrtarët serbë shpresojnë që në bisedime të përfshihet edhe çështja e statusit. Por kjo është hedhur poshtë nga pala kosovare dhe shtetet perëndimore, të cilat thonë se Kosova dhe Serbia po bisedojnë si dy shtete të pavarura për çështje praktike. Opozita në Serbi i ka konsideruar bisedimet e drejtpërdrejta mes Kosovës dhe Serbisë si një hap i Beogradit drejt njohjes së pavarësisë.

Thaçi, dialogu, në nivel të barabartë

“Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është në kuadër të kornizave kushtetuese dhe ligjore të Kosovës”, ka thënë Kryeministri Hashim Thaçi, dje para kabinetit qeveritar. Sipas tij, ky dialog bëhet në nivelin e barabartë si dy shtete të pavarura. “Vlerësoj diskutimet dhe mendimet e prezantuara në debatin e iniciuar nga qeveria e Kosovës në Kuvendin e Kosovës. Çdo mendim i ri dhe shtesë që vjen nga Kuvendi, do të jetë i mirëpritur për qeverinë. Ne duam dhe punojmë që të kemi punë të përbashkët me ekipe të përbashkëta, me gjithë spektrin politik edhe opozitën, edhe shoqërinë civile. Dëshiroj të falënderoj përfaqësuesit e shoqërisë civile për idetë interesante që kanë dhe po prezantojnë në mbështetje të këtij procesi”, tha Thaçi. Kryeministri i Kosovës theksoi se çështja i kalon kornizat partiake dhe ka të bëjë me fqinjësinë e mirë mes dy shteteve të pavarura.

Krasniqi, me bisedime të shkrihen tensionet

Kuvendi i Kosovës mblidhet sërish sot për të miratuar një rezolutë në lidhje me bisedimet me Serbinë. Sipas kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të krijojnë një kualitet më të mirë të jetës së qytetarëve të të dy vendeve, edhe për jetën e shqiptarëve që jetojnë në Serbi, por edhe për jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë. “Unë pres që përgjegjësia e përfaqësuesve të të dy vendeve të shkojë drejt shkrirjes së tensioneve mes Prishtinës dhe Beogradit dhe të pranohet se kemi një realitet të ri, i cili nuk mund të kthehet prapa. Dhe politika, obligimin që e ka marrë nga qytetarët edhe në Serbi edhe në Kosovë, duhet të mendojë për të tashmen dhe të ardhmen e qytetarëve të të dy vendeve”, tha Krasniqi.

BE: Takimi i ngrohtë dhe konstruktiv

Të gjithë palët pjesëmarrëse në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, delegacionet e dy vendeve, BE-ja dhe SHBA-ja e kanë quajtur takimin e parë konstruktiv dhe një nisje të mirë. Në deklaratën e vet pas përfundimit të takimit, BE vlerësoi se Serbia dhe Kosova bënë përpjekje pajtimi në bisedimet dyditore që përfunduan të mërkurën. “Ka pasur një marrëveshje dhe ajo ishte mbajtja e një takimi të dytë së shpejti”, thuhet në deklaratën e BE-së. Sipas diplomatëve të BE-së, raundi i dytë i dialogut do të ndodhë në fund të marsit. Takimi i parë pas tri vitesh u zhvillua në një “atmosferë konstruktive dhe të ngrohtë, ku të dyja palët shprehën angazhimin për dialog”. Gjatë bisedimeve, palët ranë dakord për të bërë regjistrat dhe kadastrat e mundshme për të gjithë, ndërsa janë diskutuar edhe çështjet e tregtisë rajonale dhe janë prekur çështjet e telekomunikacionit dhe aviacionit, thuhet në deklaratën e BE-së.

© Panorama.al

Te lidhura