Kosovarët në Veri, Serbia, thirrje serbëve për qetësi

Sep 17, 2011 | 12:15

Situata në Veri të Kosovës është tensionuar dje, pas konfirmimit të EULEX-it se doganat do të kontrollohen edhe nga përfaqësues të Kosovës.Ndërkohë, trupat e KFOPR-it janë në gatishmëri për t’u përballur me çdo lloj kërcënimi paqeje nga strukturat paralele serbe, të cilat janë zotuar se nuk do të lejojnë shtrirjen e pushtetit të Prishtinës në atë pjesë të vendit. Një zjarr është regjistruar pas orës 13:00 në pikën kufitare në Jarinë, përtej telave të kufirit, por ai është vënë nën kontroll dhe ende nuk janë publikuar shkaqet e tij. Zyrtarët serbë kanë bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë në këto zona, pas raportimeve të shumta në media se gjendja sa vjen e tensionohet. Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, bëri thirrje për qetësi në mbrojtjen e interesave të tyre. Sekretari në ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviç, tha se mbështetja që bashkësia ndërkombëtare u ka bërë veprimeve të “njëanshme” të Prishtinës, e përkeqëson situatën. Nuk ka raportime të qarta nëse doganierët janë vendosur në një pikë kufitare apo në të dyja. Pas konfirmimit se doganierët kosovarë do të ishin të pranishëm në pikat doganore në Veri, përfaqësuesit e Partisë Radikale Serbe kanë tentuar të hyjnë në Kosovë për të krijuar destabilitet, por janë kthyer pas, deri në pikëkalimin në Jarinë. Vendkalimi ishte mbyllur nga KFOR-i. Zëdhënësi i EULEX-it, Nikolas Hauton, ka konfirmuar prezencën e doganierëve e policëve shqiptarë e serbë në pikat kufitare në Veri, 1 dhe 31. “Zyrtarë lokalë, serbë e shqiptarë, janë në pikat kufitare me policinë e EULEX-it, por vetëm anëtarët e EULEX-it janë operacionalë”, tha Hauton. Ndërsa zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiç, tha se unioni i ka dhënë përkrahje të plotë operacionit të qeverisë së Kosovës në Veri, i cili po kryhet në bashkëpunim me EULEX-in. “Ky është një hap i rëndësishëm, nga i cili të gjitha bashkësitë do të kenë dobi. Jemi të përkushtuar për këtë dhe EULEX këtë e bënë në përputhje të plotë me mandatin e saj”, tha ajo. Zyrtarë të EULEX-it pranojnë se situata është e tensionuar dhe se disa barrikada janë të vendosura tashmë në disa udhëkryqe të rrugëve në Veri të Kosovës. Ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi ka konfirmuar vendosjen e doganierëve në Veri në mënyrë të suksesshme dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës për qetësi dhe maturi. Shefja e BE-së, Katerin Ashton tha se ishte e kënaqur, që marrëveshja po zbatohej dhe dy vendet kishin hequr embargon tregtare mes tyre.

Berisha
Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur dhe i ka ofruar mbështetje të plotë veprimit të qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it për vendosjen e ligjit dhe funksionimin e doganave të pikave kufitare. “Ky vendim i autoriteteve të Kosovës dhe EULEX për të zbatuar marrëveshjen e firmosur në Bruksel nga palët me ndërmjetësimin e BE, përbën një kontribut real për paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka thënë Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura