Kosova, rikthehet tregtia pa doganë me vendet e BE-së

Jan 5, 2012 | 13:02

Prodhuesit kosovarë do të munden t’i eksportojnë mallrat e tyre në cilindo vend të Europës pa doganë. Ky ishte kthimi i preferencës tregtare, një vendim i marrë më 30 dhjetor, i cili ishte pezulluar vetëm një vit më parë. Khaldoun Sino, Ushtrues Detyre i Kryesuesit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Europian në Kosovë, tha për mediat në Kosovë se ky është vendim i rëndësishëm për bizneset vendase që eksportojnë në BE. Ripërtëritja e preferencave tregtare, sipas tij, do t’u mundësojë bizneseve një hyrje shumë më të lehtë në tregjet e BE-së dhe pritet që të çojnë përpara eksportin e Kosovës në këto vende. Masat tregtare autonome aplikohen për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe sigurojnë heqjen e doganës në tregun e BE-së për pothuajse të gjitha mallrat me origjinë nga rajoni. Në vitin 2000, Bashkimi Europian për herë të parë krijoi një rregull të veçantë për të liruar nga dogana në tregun e BE-së pothuajse të gjitha mallrat, pa sasi të kufizuar, me origjinë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kroacia, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova).

© Panorama.al

Te lidhura