Kosova pranon fusnotën, jo edhe rezolutën 1244

Jan 10, 2012 | 9:21

PRISHTINE- Kosova gjatë prezantimeve të veta në nisma rajonale e ndërkombëtare do të mbajë emrin e vet, por nën të do të ketë një fusnotë, e cila do të duhej të jetë e miratuar në raundin e ardhshëm të dialogut me Serbinë.

Por, është pikërisht përmbajtja e kësaj fusnote ajo që duket se e ka bllokuar raundin e radhës të dialogut, i kanë thënë “Kohës Ditore burime ndërkombëtare.

Lehtësuesi Robert Cooper dhe shtetet mbështetëse të dialogut në Bruksel po kërkojnë me ngulm që Kosova dhe Serbia që në raundin e ardhshëm të merren vesh për formulën që do të mundësonte përfaqësimin e Kosovës në nisma rajonale e ndërkombëtare pa u penguar nga Serbia.

Qeveria e Kosovës, sipas burimeve ndërkombëtare, është pajtuar në parim që Kosova të përfaqësohet me emrin e saj dhe më një fusnotë ku do të shkruhej se “nuk ka paragjykime të qëndrimit të shteteve ndaj statusit”, por Serbia nuk po bën kurrfarë kompromisi. Sipas të njëjtit burim, pala serbe vazhdon që të insistojë që fusnota të mbaj përshkrimin “Sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së”.

© Panorama.al

Te lidhura