Kosova nis dialogun për heqjen e vizave pa udhërrëfyes

Jan 20, 2012 | 15:18
Thaçi e Malmstrom

Kosova nisi dje dialogun për heqjen e vizave me BEnë. Kryeministri Hashim Thaçi e cilësoi ditën e djeshme si të bekuar për Kosovën dhe u zotua se qeveria e tij do t’i përmbushë të gjitha kriteret e mbetura pa u përmbushur, si parakusht që të merret edhe udhërrëfyesi, e përfundimisht edhe të pasojë heqja e vizave për kosovarët. “Sot është një lajm i gëzuar për Kosovën. Është një lajm për Kosovën europiane, është një ditë e bekuar për Kosovën dhe gjithë qytetarët e saj. Qeveria e Kosovës e mirëpret fillimin e dialogut të shumëpritur për liberalizimin e vizave. Kjo dëshmon që Kosova është në rrugë të mbarë drejt integrimit në BE”, tha Thaçi. Komisioni Europian pritet të formojë edhe grupe të përbashkëta me autoritetet kosovare, të cilat do të monitorojnë zbatimin e kritereve të kërkuara nga Brukseli. Komisionerja Sesilia Malmstrom, gjatë vizitës dyditore në Kosovë, përveç autoriteteve vendëse, po realizon takime edhe me përfaqësues ndërkombëtarë, shefin e EULEX-it, De Marnhac, kurse të premten, para largimit, do të vizitojë shkollën “Selman Riza” në Fushë-Kosovë. Sidoqoftë, ajo nuk caktoi ndonjë datë për heqjen e vizave. “Ajo që sot po bëjmë, është të jemi këtu dhe të konfirmojmë se kushtet për nisjen e dialogut janë përmbushur”, ka thënë Malmstrom.

© Panorama.al

Te lidhura