Kosova, delegacion i madh drejt Amerikës

Sep 20, 2012 | 9:25

Presidentja e Kosoves, Jahjaga, Kryeministri Thaçi dhe një numër ministrash e këshilltarësh të tyre do të vizitojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një pjesë e tyre pritet të qëndrojë në New York, ku ka filluar punimet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e pjesa tjetër në një konferencë biznesi në Washington.

Disa tashmë kanë marrë rrugë, e disa të tjerë pritet ta bëjnë sot këtë. Nuk dihet saktë numri i tyre, por tashmë është e qartë se delegacioni kosovar që do të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i madh dhe se udhëtimi do të kushtojë shtrenjtë.

Express ka arritur të konfirmojë vetëm udhëtimin e 26 anëtarëve të delegacionit nga Presidenca, kabineti qeveritar si dhe zyrtarë nga dikasteret qeveritare.

Të mërkurën është folur se delegacioni që do të udhëtojë përtej Atlantikut, do të përbëhet nga 50 anëtarë, por një gjë e tillë ka qenë e vështirë të konfirmohet.

Presidentja Atifete Jahjaga, siç ka mësuar Express, do të jetë e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, Astrit Kuçi, si dhe dy këshilltarët, Ramush Tahiri dhe Arbër Vllahiu.

Ky i fundit ka treguar për Express se në delegacionin zyrtarë të Presidentes, ndër të tjera do të jenë edhe shefi i saj i sigurisë, Islam Hamiti si dhe një fotograf.

“Presidentja e Republikës së Kosovës dhe bashkëshorti i saj do të marrin pjesë në pritjen te Presidenti i SHBA-së, Barack Obama. Dy këshilltarët e saj e shoqërojnë Presidenten e Republikës në takimet bilaterale dhe multilaterale. Fotoreporteri Florent Rrahmani merr pamje nga takimet. Ky është delegacioni zyrtar i Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga”, ka thënë Vllahiu për Express, të mërkurën.

© Panorama.al

Te lidhura