Korrupsioni, pronari i autoshkollës, në gjyq bashkë me tre instruktorët

Jan 16, 2012 | 13:16

TIRANE – Pronari i një autoshkolle, së bashku me tre instruktorë dërgohen në gjykatë me akuzën e korrupsionit. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për skandalin e marrjes së patentave në mënyrë abuzive kundrejt ryshfetit nga persona që nuk i nënshtroheshin testimit teorik dhe praktikës. Në përfundim të hetimeve, dosja penale e Prokurorisë është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës. Të pandehurit e saj, sipas organit të akuzës, janë shtetasit Nesti Xhurgaj, Qemal Musta, Trëndafil Taho dhe Zenel Shera. Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, të kryer në bashkëpunim”. Konkretisht, të akuzuarit dyshohet se kanë ndikuar tek instruktorët shtetërorë që marrin në provim kandidatët për pajisje me patentë. Sipas hetimeve, shuma e ryshfetit që një person i interesuar duhej të paguante për t’u pajisur me dokumentin e drejtimit të automjetit ishte 30-44 mijë lekë të rinj. Sipas hetimeve, i pandehuri kryesor në këtë histori është shtetasi Qemal Musta, i cili sipas Prokurorisë, është edhe pronari i autoshkollës që kryente abuzimet. Bashkë me të janë të akuzuar edhe instruktorët e kësaj autoshkolle, shtetasit Trëndafil Taho, Zenel Shera dhe Nesti Xhurgaj. Sipas Prokurorisë, ata akuzohen për veprën penale “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Policia dhe Prokuroria kanë kryer një hetim 9-mujor ndaj të dyshuarve. Nga ky hetim rezulton se personat e ndaluar, nëpërmjet njohjeve në Drejtorinë e Transportit Rrugor, ndërhynin për pajisjen me patentë të personave të regjistruar në autoshkollën e tyre. Kandidatët në këto raste, sipas hetimit, nuk kishin kryer asnjë ditë kurs teorik apo praktik për të drejtuar automjetin. Nga hetimet është mësuar se kursantët e regjistruar pajiseshin me leje drejtimi automjeti, duke dhënë 30-40 mijë lekë të rinj ryshfet, përveç tarifës zyrtare, e cila varion nga 30-35 mijë lekë të rinj. Pronari i autoshkollës dhe instruktorët e tij dyshohet se u kërkonin para kursantëve, të cilëve u premtonin marrjen e rezultateve kaluese në provimin e teorisë dhe praktikës për pajisjen me lejen e drejtimit të mjetit. Hetimi nuk ka arritur të përfshijë rolin e punonjësve të Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor Tiranë, të cilët bënin vlerësimin përfundimtar për kursantët që paraqiste autoshkolla e personave të akuzuar. Të pandehurit akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm pikërisht te vlerësuesit e Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor Tiranë për vlerësimin jo real të kursantëve të tyre.

© Panorama.al

Te lidhura