Korçë, pezullohet pas 24 orësh arresti për Dishon

Jan 14, 2012 | 12:30

Kreu i OMONIA-s, Naum Disho

Gjykata e Faktit bllokon urdhrin e Apelit deri më 25 janar për kryetarin e OMONIA-s, Naum Disho.

Pezullohet urdhri i arrestit për kreun e OMONIA-s së Korçës, Naum Disho. Deri më 25 janar Disho do të jetë i lirë, dhe në këtë datë Gjykata e Faktit do të vendosë nëse i dënuari me 1 vit burg nga Apeli do të qëndrojë në burg apo do të presë i lirë shqyrtimin e dosjes së tij nga Gjykata e Lartë në Tiranë. Paraditen e djeshme u mësua mbi shtyrjen e vendimit të arrestit, më pak se 24 orë nga shpallja në kërkim e Dishos prej Policisë së Korçës. I shpalluri në kërkim vetëm një ditë më parë nga policia, tashmë nuk është më një person i skeduar për shkak të këtij vendimi. Pas marrjes në shqyrtim të kërkesës së avokatit mbrojtës të kreut të OMONIA-s për mosekzekutimin e urdhër-arrestit, Gjykata e Faktit ka vendosur automatikisht mosekzekutimin e përkohshëm të arrestit. Në një njoftim për mediat, zyra e marrëdhënieve me publikun ka bërë të ditur se “në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë është paraqitur kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit penal të dhënë nga Gjykata e Apelit Korçë për të pandehurin Naum Disho.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin e saj ka pezulluar ekzekutimin e vendimit penal të dhënë nga Gjykata e Apelit Korçë deri në momentin e shqyrtimit të kësaj kërkese. Sipas zyrtarëve të gjykatës, do të jetë seanca e radhës, e përcaktuar për t’u zhvilluar më 25 janar, ajo e cila do të vendosë nëse kreu i OMONIA-s, Naum Disho, do të arrestohet apo do të vijojë të jetë i lirë deri në vendimin e Gjykatës së Lartë. Referuar po të njëjtave burimeve, mësohet se i përcaktuar si gjyqtar relator për këtë seancë do të jetë Selajdin Pysqyli. Sakaq, vetë avokati mbrojtës i Dishos, Nevzat Tarelli ka pohuar pezullimin e përkohshëm të arrestimit të klientit të tij, ndërsa ka konfirmuar se i shpalluri në kërkim, Naum Disho, nuk i është larguar policisë, por ndodhet në banesën e tij. Me gjithë fjalët e avokatit, Policia e Korçës deklaroi se nga kërkimet e zhvilluara gjatë së enjtes Disho nuk rezultoi në banesë dhe kërkimet u shtrinë në zona të dyshuara si vendndodhje e tij. Gjatë këtyre dy ditëve, kreu i OMONIA-s nuk ka pasur asnjë komunikim me median, ndërsa këtë detyrë e ka kryer avokati mbrojtës i tij. Sipas Tarellit, klienti i tij është i pafajshëm për veprën e dhunimit të varreve për të cilën është dënuar. Gjykata e Apelit në Korçë la në fuqi këtë javë dënimin me 1 vit burg për Naum Dishon, e njëjta masë që caktoi për të edhe Gjykata e Shkallës së Parë. Për dy punëtorët që ndërtuan memorialin në nder të ushtarëve grekë në Boboshticë të Korçës, gjykata vendosi dënimin me kusht me 6 muaj. Kjo ngjarje u shënua dy vite më parë, por menjëherë pas punimeve të para për memorialin reaguan banorët e fshatit Boboshticë, sipas të cilëve punimet ishin kryer mbi varret e vjetra të banorëve.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura