Korçë, Peleshi në avantazh, Pogradecin e rifiton PS-ja

May 11, 2011 | 11:01

Kandidati i PS-së, Niko Peleshi, ka marrë deri më tani 1723 vota më shumë se rivali i tij demokrat, Andrea Mano.Ky rezultat vjen kur kanë mbetur edhe 12 kuti votimi pa u hapur, ndërkohë që mbrëmë ka vijuar procesi i numërimit deri në orët e vona.
Ka pasur një ngushtim të diferencës së mëparshme nga numërimi i votave në kutitë e fundit për ato qendra që konsiderohen si elektorat i djathtë. Në total, nga numërimi dhe verifikimi i fletëve të votimit, kandidati i PS dhe koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, Niko Peleshi, ka siguruar 12 835 vota, kundrejt 11112 vota që ka fituar kandidati i PD dhe koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Andrea Mano. Ky i fundit e ka ngushtuar disi rezultatin në dy qendra votimi që njihen si mbështetëse të PD, por megjithatë, epërsinë vazhdon ta ruajë kandidati Peleshi. Ndërkaq, në Bashkinë e Pogradecit ka marrë mandatin e tretë kandidati i PS, Artan Shkëmbi. Ai u shpall fitues me 7580 vota kundrejt 5837 votave që arriti të siguronte kandidati i LSI, Luan Topçiu. Për Bashkinë e Pogradecit kanë rezultuar 13 417 vota të vlefshme dhe kandidati i PS, Artan Shkëmbi, ka marrë 1700 vota më shumë se rivali i tij i djathtë. Në rrethin e Korçës, koalicioni “Aleanca për qytetarin” ka siguruar fitore në shumicën e komunave. Vetëm komuna Voskop, që është njohur si mbështetëse e kësaj partie në proceset zgjedhore, ka humbur me kandidatin e saj Kujtim Sula. Fitues ka rezultuar kandidati i PS, Ylli Cenkolli. PD ka arritur t’u kthehet fitoreve në një prej komunave që kanë dhënë mbështetje të hershme ndaj saj. Bëhet fjalë për komunën e Pojanit, ku ka humbur kandidati i PS, Vasillaq Çinoku. PD dhe koalicioni i saj kanë arritur të fitojnë edhe në komuna të tjera që deri tani janë konsideruar si mbështetëse të së majtës. Kështu, PD ka fituar në komunat e Lekasit dhe Moglicës, si dhe në të gjitha njësitë e tjera vendore të komunave Voskopojë, Drenovë, Liqenas, Vreshtas, Pirg, Mollaj, Bulgarec. Koalicioni “Aleanca për qytetarin” ka dalë fitues edhe në komuna të rrethit të Kolonjës, në të cilat deri tani kanë fituar më së shumti kandidatët e PS. Ky koalicion ka fituar me kandidatët e tij në komunat Çlirim, Qendër Ersekë, Mollas, Barmash dhe Qendër Leskovik. PS dhe koalicioni “Aleanca për të ardhmen” kanë mundur të fitojnë vetëm në komunën Novoselë dhe në Bashkinë e Ersekës. Në rrethin e Devollit, fituese në shumicën e njësive të qeverisjes vendore rezulton koalicioni “Aleanca për qytetarin”. Si Bashkinë e Bilishtit, ashtu edhe komunat e tjera të këtij rrethi i kanë fituar kandidatët e PD-së, me përjashtim të komunës Hoçisht, ku ka siguruar një tjetër mandat për kryetar komune kandidati i PS-së.

Korçe

.    Bashkia Pogradec, fiton Artan Shkëmbi i PS ndaj kandidatit të LSI, Luan Topçiu
.    Bashkia Bilisht, fiton Valter Miza, PD
.    Bashkia Leskovik, fiton Fatmir Guda, PD
.    Bashkia Maliq, fiton Gëzim Topçiu, PD
.    Bashkia Ersekë, fiton Ali Laho, PS
.    Komuna Voskop, Ylli Cenkolli, PS
.    Komunën e Pojanit, fiton PD
.    Komunat Lekasit, fiton PD
.    Komuna Moglicë, fiton PD
.    Komuna Voskopojë, fiton PD
.    Komuna Drenovë, fiton PD
.    Komuna Liqenas, fiton PD
.    Komuna Vreshtas, fiton PD
.    Komuna Pirg, fiton PD
.    Komuna Mollaj, fiton PD
.    Komuna Bulgarec, fiton PD

 

KORCE/ GEZIM ASHIMI

© Panorama.al

Te lidhura