Korçë, digjen 4 banesa, banorët: Na gjeni strehë

Jul 21, 2011 | 11:08
Banorët pas shkrumbimit të banesave

KORÇE- Dhjetëra banorë e kaluan natën në qiell të hapur, pasi zjarri shkrumboi të gjithë katin e pallatit ku ata jetonin në Lagjen Nr.6. në qytetin e Korçës. Pasi zjarri shkrumboi 4 apartamentet e ndodhura në katin e tretë të pallatit, banorët apelojnë për ndihmë. Ata kërkojnë strehim, por edhe rindërtimin e banesave të tyre. “Gjithë natën kemi qëndruar në qiell të hapur. Nuk dinim se çfarë të bënim dhe ku të shkonim. Ne jetojmë vetëm me një ndihmë ekonomike dhe nuk mund të përballojmë as jetesën e jo më të ngremë shtëpitë nga e para. Duhet që dikush nga Bashkia apo edhe shteti të vërë dorë për të na ndihmuar, pasi nuk kemi as ku të strehojmë fëmijët tanë, na mbetën në rrugë”, u shpreh një 47-vjeçar, i cili ka humbur banesën dhe gjithçka ndodhej në të. Ndërkohë që nga ana e Bashkisë dhe Zyrës së Emergjencave Civile për këta banorë është premtuar gjetja e një zgjidhjeje të përkohshme strehimi, që ata të lejohen të qëndrojnë në konviktin e shkollës Bujqësore të qytetit, derisa të gjendet një zgjidhje përfundimtare për ta. Të pabanueshme janë kthyer edhe 4 apartamentet e katit të 2-të të pallatit, si pasojë e ujit të shumtë që është hedhur për të shuar zjarrin, por edhe nga dëmtimet si pasojë e nxehtësisë, ku një sërë objektesh shtëpiake janë shndërruar në të papërdorshme. Policia bëri të ditur dje se kryefamiljarët e dëmtuar janë shtetasit Bashkim Haxhi 61 vjeç, Mihal Parizi, 52 vjeç, Nikolin Pano, 32 vjeç, dhe Bajram Zyberi, 54 vjeç. “Nga hetimet ka rezultuar se fillimisht zjarri ka rënë në katin e tretë në banesën e shtetasit Bajram Zyberi. Në pamundësi të kushteve ekonomike, në banesë ai nuk ka pasur energji elektrike e, për këtë arsye, përdorte mjete të ndryshme ndriçimi. Të martën, rreth orës 19:40, ai ka ndezur një qiri e me pas e ka zënë gjumi”, bëri të ditur policia. Rreth orës 21:30, kur është zgjuar, ai ka qenë i rrethuar nga flakët dhe përpjekjet për shuarjen e tyre ka qenë të kota, pasi shumë shpejt i gjithë kati është përfshirë nga zjarri. Mësohet se ai është hedhur nga kati i tretë, ndërsa banorët e kanë pritur me një kuvertë. Ai ka pësuar dëmtime edhe nga flakët, ndërsa policia kreu më pas arrestimin e tij për “shkatërrim të pronës nga pakujdesia”.            dh.d

© Panorama.al

Te lidhura