“Kontrata e vdekjes”- Më shumë se 200 kenianë janë rekrutuar nga Rusia për të luftuar në Ukrainë! Kievi: I joshin me…

Nov 12, 2025 | 19:01

Ministria e Jashtme e Kenias tha të martën se më shumë se 200 kenianë po luftojnë përkrah forcave ruse në Ukrainë.

rekrutime rusia

Dikasteri shpjegoi se agjencitë e rekrutimit po përpiqen të mobilizojnë më shumë kenianë për t’u bashkuar me luftën.

Javën e kaluar, Kievi tha se më shumë se 1,436 luftëtarë nga 36 vende afrikane po luftonin përkrah forcave ruse në Ukrainë.

Ministri i jashtëm i Ukrainës, Andriy Sibiha, tha se Rusia po i joshte afrikanët të nënshkruanin kontrata që ishin “ekuivalente me dënimet me vdekje”, duke u bërë thirrje qeverive afrikane të paralajmërojnë qytetarët e tyre.

“Operacionet e rekrutimit në Rusi thuhet se janë zgjeruar për të përfshirë afrikanët, përfshirë kenianët”, tha ministria e Jashtme keniane në një deklaratë. “Më shumë se 200 kenianë mund të jenë bashkuar me ushtrinë ruse… rrjetet e rekrutimit mbeten aktive si në Kenia ashtu edhe në Rusi”, shtoi institucioni.

Ambasada ruse në Nairobi nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga Reuters.

Sipas ministrisë së jashtme keniane, ambasada keniane në Moskë ka dokumentuar lëndime të rekrutëve të cilëve thuhet se u janë ofruar deri në 18,000 dollarë për të mbuluar shpenzimet e vizave, udhëtimit dhe akomodimit.

Në një operacion në shtator pranë Nairobit, autoritetet keniane thanë se shpëtuan 21 kenianë që po përgatiteshin të vendoseshin në vijën e parë të frontit në Ukrainë. Një burrë i arrestuar përballet me akuza për këtë rast.

Nairobi tha se burrat e shpëtuar ishin mashtruar në lidhje me natyrën e punës së tyre, duke besuar se do të ofronin shërbime teknike si montimi i dronëve dhe trajtimi i kimikateve.

© Panorama.al

Te lidhura