Kontrabandë dhe prerje e paligjshme pyjesh, 3 persona të proceduar, ja çfarë iu sekuestruan në kufi!

Dec 19, 2025 | 15:17

Tre persona që dyshohen për kontrabandë nëpërmjet kufirit shqiptaro-maqedonas dhe prerje të paligjshme pyjesh janë proceduar penalisht.

policia korce

Veprimet janë kryer nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë. Rasti i parë u godit në vijim të kontrolleve sistematike dhe atyre të bazuara në informacionet policore të marra në rrugë operative, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Pustec, në afërsi të Qafës së Zvezdës.

“U ushtrua kontroll në automjetin tip kamionçinë me drejtues shtetasin K. D., 38 vjeç, banues në fshatin Cangonj, Devoll. Në pjesën e karrocerisë së mjetit gjetën një sasi dru zjarri pa dokumentacionin përkatës. Sasia e druve së bashku me automjetin u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, tha policia vendore.

Gjithashtu po nga këto shërbime është ndaluar automjeti tip furgon me drejtues shtetasin S. LL., 57 vjeç dhe pasagjer shtetasin K. M., 67 vjeç, banues në fshatin Orman, Pojan.

“Në pjesën e karrocerisë së mjetit u gjet një gjedh (viç) i pamatrikulluar dhe pa dokumentacionin përkatës, i dyshuar si i kontrabanduar”, njoftoi policia.

Pas veprimeve paraprake, dosjet u referuan në Prokurorinë Korçë, për veprat penale “prerja e paligjshme e pyjeve”, “kontrabanda me mallra të tjerë” dhe “tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.

© Panorama.al

Te lidhura