Kontaktet PD-PS, sot në Tiranë Stefano Sannino

Nov 9, 2011 | 9:26

TIRANË- Pritet të mbërrijë sot në Tiranë Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Evropian, Stefano Sannino, në një përpjekje te re për t’i dhënë një shtysë të fundit bisedimeve që po zhvillohen mes shumicës së drejtuar nga kryeministri Sali Berisha  dhe opozitës socialiste të udhëhequr nga zoti Edi Rama, për realizimin e disa reformave të rëndësishme të kërkuara nga Brukseli. Lajmi bëhet me dije nga Zëri i Amerikës, që raporton sot se se përfaqësuesi i lartë i Komisionit Evropian do të qëndrojë ne kryeqytet deri nesër e do te ketë takime me të dyja palët.

Shumica dhe opozita kanë rënë dakord në parim për ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare, i pari që lidhet me reformën zgjedhore dhe i dyti që ka të bëjë me një kërkesë të opozitës për ndryshime në rregulloren e parlamentit, ndonëse kjo nuk është bërë ende publike, përsa kohë mbetet ende pezull çështja që ka të bëjë me ligjet, të cilat kërkojnë një votim me tre të pestat në parlament, pra dhe mbështetjen e opozitës.

Kjo çështje në fakt këto ditë është përmendur shumë nga të dy krahët. Kryetari socialist Edi Rama deklaroi të hënën se grupi i tij parlamentar do të paraqesë një axhendë të detajuar për miratimin e këtyre ligjeve. Nga ana e saj, shumica ka ushtruar trysni të vazhdueshme publike duke i kujtuar opozitës se ajo bllokoi procesin e integrimit për shkak të refuzimit për të votuar këto ligje, e duke shtuar se sipas saj, opozita nuk ka dhënë asnjë argument ligjor se përse i kundërshton.

Por socialistët kanë përsëritur disa herë se sipas tyre, këto ligje kanë mangësi në përputhjen me standardet e kërkuara nga Brukseli. Mosmarrëveshja për të gjetur një zgjidhje për afatet brenda së cilave duhet të miratohen në parlament, reflekton edhe mosbesimin e thellë që ekziston mes palëve. Ndoshta ndërhyrja e Drejtorit të Përgjithshëm Stefano Sannino mund të shërbejë për të vënë ekuilibrin e nevojshëm. Vizita e tij në Tiranë e 20 ditëve më parë përshpejtoi procesin e diskutimeve mes shumicës dhe opozitës duke bërë që të kapërcehej ngërçi lidhur me reformën zgjedhore dhe atë për rregulloren e parlamentit. (VOA)

 

© Panorama.al

Te lidhura