Nano inkurajon Ramën e Berishën: Do jem President dalëzots

Jun 5, 2012 | 16:35

TIRANE- Ish lideri i Partisë Socialiste, i vetëofruar për postin e Presidentit të Republikës, Fatos Nano ka inkurajuar dy liderët kryesorë në vend Ramën dhe Berishën që të mbërrijnë me pjekuri në marrëveshje parimore, në favor të përparimit të axhendës së Integrimit Europian të vendit tonë.

Ai fton të gjithë liderët politikë në vend që të bëhen së bashku në një Aleancë të Madhe Mirëbesimi.

“Fatos Nano inkurajon Kryetarët e Partive politike të përfaqësuara në Kuvend, që të dalin nga ngërçi dinjitetrrënues dhe mundësizhbërës i kategorizimit të kandidaturave në politike, jopolitike, shoqëri civile, etj dhe të përqendrohen me përkushtim dhe mirëkuptim që të kërkojnë kandidatët më të mirë për të zgjedhur Presidentin më të mirë. Proçeset e deformuara japin fryte të këqija. Kategorizimi i kandidaturave dhe hulumtimi nëpër secilën kategori nga Kryetarët, duke përjashtuar arbitrarisht kategori të caktuara, apo emra të ndryshëm, është vetëm shprehi e paaftësisë dhe mendësisë së gabuar të kësaj klase politike që po rrezikon ta shndërrojë çdo ditë e më tepër Shqipërinë në një vend Kryetarokratik”- thuhet ne deklaraten e shperndare per mediat.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp nga “Lëvizja Nano për President”, ish lideri socialist shprehet se është duke ndjekur me shumë vëmendje të gjitha zhvillimet e fundit sa i përket procesit të zgjedhjes së presidentit të ri.

Nano ka garantuar edhe njëherë se nëse do të jetë ai Presidenti i ardhshëm i vendit, do të përkushtohet për zgjedhje të lira në 2013-ën, si dhe do të bëhet garant i plotësimit dhe përmbushjes së reformës zgjedhore, reformës parlamentare si edhe i të gjitha reformave të nevojshme bazuar në kriteret per anetaresim ne BE.

“Presidenti i ardhshëm e ka për detyrë kushtetuese që të jetë negociator, paqebërës, institucional, sipërmarrës politik, unifikues, zgjidhës konfliktesh si edhe garant i një zgjedhjeje të drejtë dhe me maturi demokratike në respekt të instrumentave demokratike brenda vendit dhe kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë euroatlantikë, për Kryetarin e SHISH, Prokurorin e Pergjithshëm dhe Përfaqësuesit e Gjyqësorit. Shqipërisë i duhet një President dalëzots. Fatos Nano është dalëzots dhe nëse do të jetë President, ai do të jetë një President dalëzots”- përfudon deklarata.

Një ditë më parë, duke kujtuar se vendi mbetet ne pritje te nje presidenti, Nano renditi 7 pika, si këshilla për kryetarët Berisha e Rama, për të shkuar drejt konsensusit, me qëllim për të mos humbur shansin e tretë në Raundin e tretë të votimit për President, e kësisoj për të mos rrezikuar edhe shansin e tretë të Shqipërisë për të marrë Statusin Kandidat në BE vjeshtën që vjen.

© Panorama.al

Te lidhura