
Partia Socialiste do të mbledhë sot Kongresin e saj zgjedhor. Në orën 11:00, në sallën e Pallatit të Kongreseve, 1500 delegatët e zgjedhur dhe ata që hyjnë automatikisht do të diskutojnë e miratojnë në fund programin e ri të PS dhe statutin e rinovuar. Pika më e nxehtë e Kongresit do të jetë propozimi dhe votimi për Asamblenë e re. Zbulohen disa nga emrat e rinj që do të propozohen për në Asamblenë e re Kombëtare, e cila do të votohet me listë kombëtare, dhe jo sipas qarqeve. Ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, ish-ministri i Fianacave Anastas Angjeli, ish-deputeti Bukurosh Stafa, ish-ambasadori Bashkim Zeneli dhe ishkreu i PS-së së Tiranës Musa Ulqini, janë disa nga emrat e rinj të Asamblesë Kombëtare që do të propozohen nga selia rozë, ndërkohë që propozime pritet të bëhen dhe nga delegatët në sallë.
Kongresi do të nisë me fjalën e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili do të paraqesë vizionin e ri të programit të sapopërfunduar, i cili, siç e ka theksuar edhe ai vetë, do ta bëjë PS parti fituese të zgjedhjeve të ardhshme. Fjala e kryetarit socialist do të jetë e hapur për mediat, ndërsa në sallë do të jenë prezentë dhe rreth 500 të ftuar, mbështetës të PS, komisionerë, njerëz të spikatur në aktivitetet politike. Pas fjalës së Ramës, kongresi është i ndarë në tri seanca: seanca e parë do të diskutojë mbi programin politik të PS-së, seanca e dytë mbi Statutin, ndërsa seanca e tretë do të merret me propozimet dhe votimin e kandidatëve për anëtarë të Asamblesë. Pritet që seanca e parë, ajo ku do të diskutohet programi, të zhvillohet me dyer të hapura.
Programi
Do të jenë katër përfaqësues të lartë të PS-së, ekspertë të fushave të tyre, që do të përfaqësojnë katër shtyllat e programit të ri të Partisë Socialiste. Në një seancë të hapur për të gjithë, nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, do të zbërthejë kapitullin “Rimëkëmbja e ekonomisë”, ku do të sqarohen se si PS do të krijojë 300 mijë vende pune apo dhe uljen e TVSH-së. Kapitulli “Ripërtëritja e shoqërisë” do të prezantohet nga deputetja Valentina Leskaj, kryetare e Komisionit Parlamentar të Medias dhe Edukimit. Sajmir Tahiri, deputet i Tiranës dhe nënkryetar i Grupit Socialist, do të prezantojë kapitullin tjetër të programit, “Rivendosja e demokracisë” dhe në fund, shtyllën e katërt të këtij, “Ribashkimi me Europën”, do ta prezantojë deputeti Ditmir Bushati. Pas këtij prezantimi pritet të zhvillohen diskutime për programin për një periudhë kohore prej 2 orësh. Në këtë pikë, anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, do të paraqesë platformën e tij, sa politike aq dhe organizative, se si duhet të funksionojë dhe drejtohet Partia Socialiste.
Statuti
Në seancën e tretë pritet të jetë sekretari Organizativ, Blendi Klosi, i cili do të prezantojë ndryshimet që janë bërë në Statutin e PS, kryesisht për çështjet organizative të tij. Kjo seancë pritet të zhvillohet me dyer të mbyllura, duke e cilësuar tematikën e saj teknike, me specifika organizative dhe elektorale. Selia rozë vëren si të suksesshme vendosjen e koordinatorit elektoral në çdo qendër votimi e deri në këshillin elektoral në bazë rrethi. Detyra e tyre do të jetë patronazhimi i çdo qendre votimi, bashkie dhe komune gjatë fushatave zgjedhore dhe ditën e zgjedhjes. Gjithashtu, një ndryshim tjetër në Statut propozohet ndryshimi i siglës së partisë, nga PSSH në PS, dhe kjo bëhet për efekte votimi, për të shmangur çdo inicial tjetër partie të majtë të ngjashme me PS.
Asambleja
Seanca e fundit dhe më e rëndësishmja e këtij kongresi zgjedhor është zgjedhja e Asamblesë së re, e cila më pas do të zgjedhë Kryesinë e re dhe Sekretariatin e ri. Mësohet se nuk pritet të ketë ndryshime të ndjeshme nga anëtarët e Asamblesë të qarkut të Tiranës, që aktualisht janë anëtarë të saj. Ndryshime kryesisht priten nga rrethet. Çdo bashkie të madhe, qendër qarku, i janë kërkuar dy kandidatura për në Asamble, një mashkull dhe një femër. PS do të propozojë 120 emra për në Asamble, ku 50% do të jenë gra. Votimi do të jetë pika e fundit e kongresit të sotëm, ndërsa procesi i numërimit do të zgjasë disa ditë.
1500 delegate
të kongresit do të diskutojnë e miratojnë programin e ri të PS dhe statutin e saj. Gjithashtu, ata do të zgjedhin dhe Asamblenë e re të PS, e cila më pas do të zgjedhë dhe forumet e tjera qendrore, Kryesinë dhe Sekretariatin e PS, forume që do të zgjidhen në mbledhjen e parë të Asamblesë së re
250 anetare
pritet të ketë Asambleja e re Kombëtare e socialistëve. Numri i rritur i anëtarëve të saj vjen për shkak të ndryshimit të neneve të statutit, që kërkojnë numrin e anëtarëve që zgjidhen nga Kongresi të jetë 50 plus
1 më i madh se anëtarët që hyjnë automatikisht në Asamble
Harasani: Programi duhet të ketë faturën financiare
Sekretari për Programin në Partinë Socialiste Andis Harasani tha dje se programi i Partisë socialiste i prezantuar nga kryetari Rama kërkon detajime dhe shifra. “Programi duhet të shoqërohet me detaje dhe numra. Programi është një përpjekje serioze dhe shpreh dëshirat që ne, si forcë politike serioze, kemi. Duhet të jemi të besueshëm për ato që premtojmë dhe të tregojmë në mënyrë të detajuar se si do të arrihen këto. Sigurisht duhen mënyrat sesi do të organizohen këto dëshira, me faturën financiare përkatëse”, u shpreh Harasani. Sekretari socialist për programin ka qenë kritik ndaj qëndrimeve të kryetarit Rama që prej 2009 kur PS humbi zgjedhjet parlamentare dhe nisi bojkotin. Ai thekson se beteja për modernizmin e partisë është afatgjate dhe kërkon bashkëpunimin e të gjithëve. “Me kënaqësi kam vënë re se shumë prej mendimeve tona janë marrë parasysh, por përsosmëria është një proces. Ne e shikojmë këtë si një betejë afatgjate për demokratizimin e partisë”, tha Harasani.
PD: Kongresi i PS, i dështuar
Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj, e cilësoi dje Kongresin e Partisë Socialiste si dështimin e kësaj force politike. Sipas saj, ky është një kongres i bojkotuar nga baza. “Ky kongres do të kërkojë të heqë vëmendjen nga historia e dështuar e z. Rama dhe humbja e tij më 8 maj, ku ai mori 141 000 vota më pak se shumica. Ky kongres kërkon të heqë vëmendjen nga z. Rama dhe bllokmenët e rinj që e futën PS-në në kuti të votimit për të mbrojtur karrigen e kryetarit të tyre. Ky kongres kërkon që të heqë vëmendjen nga historia izoluese e PS-së, nga përpjekjet e tyre për të bllokuar lëvizjen e lirë pa viza të shqiptarëve në Europë”, u shpreh zëdhënësja e PD-së, Mustafaraj.
Rama në Twitter: Për ku kështu moj e Kozmait?
Kreu socialist, Edi Rama, pa u shkëputur aspak nga komunikimi i tij në rrjetin social “Twitter”, iu përgjigj menjëherë deklaratës së zëdhënëses së Partisë Demokratike lidhur me Kongresin e Partisë Socialistë të së shtunës. Rama ironizon duke përdorur batuta nga filmat e vjetër shqiptarë. “A s’ju kujton kjo deklarata nga selia e PD sot për kongresin tonë atë shprehjen: Për ku kështu moj e Kozmait?”, shprehet Rama në Twitter.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











