AGIM BAÇI
Debatet politike edhe këtë herë rrethuan gjithë situatën para dhe paskongresuale të PS-së. Vetë të majtët i kishin sytë brenda formatit që do të jepte PS. Ndërsa maxhoranca, pavarësisht komenteve për “përrallë marksiste” të asaj që u premtua, duket se e ndoqi me vëmendje atë që ndodhi në kampin e PS-së, për të parë edhe rrugëtimin që do të propozonte kundërshtari.
Risia e këtij debati është, pa dyshim, e ardhmja ekonomike, duke nisur nga taksat. Dhe një gjë e tillë vërtet vlen për të gjithë shoqërinë. Së pari politikisht, vlen për modelin se si do t’i qaset opozita Kuvendit përmes propozimeve, me votimet që kanë nevojë për votën e saj, dhe më pas, edhe për zhbllokuar pasojat që kanë ardhur nga bojkoti dhe acarimi për dy vite me radhë.
Pas këtyre propozimeve kongresuale, i pari që mbetet në provë është vetë z. Rama. Së pari, do t’i duhet që zërave të rikthyer t’u japë vendin që u premtoi për debatin e brendshëm. Kjo nuk do të jetë e lehtë, pasi të rinjtë që u rreshtuan në PS me lapsin e Ramës tashmë nuk bëjnë hapa pas. Sidomos tashmë që fillon evidentimi për listën e ardhshme të deputetëve, beteja do të jetë edhe më e vështirë. Ndërkohë që emrat e lakuar si kundërshtarë nuk e kanë sigurinë e rizgjedhjes, ndaj do të kenë kushte bashkëpunimi me kryetarin e tyre.
Vështirësinë e parë të këtyre balancave e tregoi qartë vështirësia për të formatuar fytyrën e re të Asamblesë, edhe pse duhej të kishte qenë thjesht një formulë matematikore. Por, meqenëse në Shqipëri matematika politike nuk është e barabartë me matematikën si shkencë, duhet sërish “rregull numërimi”. Kjo afërmendsh është pasojë e rikthimit të disa figurave politike, që baza i ka zëvendësuar si pasojë e angazhimeve, por që Ramës i duhet kohë t’i zhvendosë, pasi mjaft prej atyre që mund të ketë anashkaluar baza, janë ende me votë në parlament, ose të fuqishëm në raportet e imazhit publik.
Gjithsesi, ajo që mbeti enigmë në kongres e që mund të vijojë të jetë enigmë, do të jetë mënyra se si PS do të qëndrojë politikisht me LSI-në. Në kongresin që sapo u mbyll për të u hesht. Nga PS kanë shteruar komentet negative politike në drejtim të figurave të LSI-së, që kanë qenë në qendër të goditjeve për dy vite me radhë. E gjitha kjo nënkupton një qasje të lehtë, që duket se do të vijojë me oferta të pasta politike. Parë edhe në rrafshin e fatit politik të Ramës, ku këtë herë nuk mund të ketë dilema për të ardhmen nëse humb zgjedhjet e radhës, duket se ofertat mund të jenë më lart se në të shkuarën.
Domosdoshmëria për marrëveshje me LSI-në duket edhe nga shpresat e zbehta se Topi mund të dëmtojë PD-në. Gjithsesi, dalja në skenë e një partie që do të dëmtojë votat e PD-së, veçse sa i rrit çmimin politik Metës, i cili mund të kërkojë ndaj PS-së më shumë se çka marrë deri më sot nga PD-ja.
Kështu, edhe pse merkatoja politike duket se do të zbulohet pas zgjedhjes së presidentit vitin e ardhëm, orientimet duket se janë dhënë. Dhe Rama është tashmë i detyruar t’u dorëzohet atyre që deri më sot, të lënë jashtë interesave të tij, e kanë privuar PS-në nga ardhja në pushtet. Hapi i parë i hedhur në kongres ishte afrimi i atyre që mund të ishin fare pranë kalimit në LSI për shkak të presionit për përjashtim. Hapi tjetër mbetet të mësohet shpejt. Deri atëherë duket se zhvendosja do të jetë tek ekonomia, të cilën socialistët duket se do ta shfrytëzojnë, për t’i lënë kohë vetes për oferta politike ndaj çdo partie, sado e vogël të jetë ajo.
Ndërkaq, provimi i parë politik i z. Rama pas modelit që paraqitit në kongres është mënyra se si do të arrijë marrëveshjet me PD-në për votimet që duan 84 vota, si dhe për reformën zgjedhore.











