DURRES- Dosja e Italisë për Gentian Zgurin (Gashi) përjashton pistën e një konflikti të ardhur nga jashtë. Grupi hetimor i Durrësit, një javë pas vrasjes mafioze të biznesmenit 35-vjeçar nga Tirana, pohon se është verifikuar historia e dënimit të tij për trafik droge në shtetin fqinj. Por, nuk rezulton asnjë shenjë që krimi i 12 nëntorit të ketë lidhje me çështjen e Gashit jashtë vendit. Sipas hetuesve, ekzekutimi i pronarit të lokalit “Rock & Roll” dhe i një kompanie ashensorësh ka ardhur nga probleme apo konflikte të tij brenda vendit. Gentian Zguri, i njohur në rrethin e tij shoqëror me mbiemër Gashi, u qëllua me një plumb të vetëm nga një pistoletë me silenciator mesditën e së shtunës së kaluar në një prej trotuareve në qendër të qytetit të Durrësit. Me gjithë hetimet e bëra nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Durrësit, ende nuk është bërë i mundur identifikimi dhe vënia në pranga e autorëve të krimit. Pavarësisht se për zbardhjen e kësaj ngjarjeje janë ngarkuar një numër i madh oficerësh dhe hetuesish, vrasja e 35-vjeçarit mbetet ende pa një autor. Madje nga hetuesit mësohet se identiteti i personit që qëlloi në drejtim të biznesmenit me shumë gjasa do të mbetet mister, pavarësisht të dhëna të përgjithshme fizike që kanë dhënë dëshmitarët për të. Sipas tyre, kemi të bëjmë me një vrasës profesionist dhe me shumë gjasa vrasja mund të ketë qenë e porositur. Në vendngjarje, përveçse një palë syze, të cilat i kanë rënë nga koka viktimës në momentin që është qëlluar, nuk është gjetur asnjë provë. Pas seleksionimit një e nga një të pistave, hetuesit durrsakë si më kryesoren kanë lënë pistën që biznesmeni është ekzekutuar për shkaqe pronësie. Hetuesit i kanë mëshuar kësaj piste pasi viktima ka pasur aktivitet në disa biznese dhe së fundi kishte dhe qëllime për ngritjen e një kompleksi gjigant në Qerret të Kavajës. Gjithashtu nuk është lënë pas dore pista që 35-vjeçari mund të jetë ekzekutuar për shkak hasmërie, pasi edhe vetë e shkuara e viktimës ishte shumë e ndërlikuar. Gentian Zguri (Gashi) mbeti i vrarë me plumb në kokë mesditën e 12 nëntorit në Durrës.
LEONIDHA MUSAJ











