Konferenca në Ohër, mblidhen katër presidentët

Jul 11, 2011 | 12:07

SHKUP- Konferenca rajonale ne Oher mbledh sot presidentët e Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Ky është takimi i tretë i presidentëve i organizuar pas atyre në Vlorë dhe Prizren.

Në Konferencën e organizuar nga presidenti Gjorgje Ivanov në cilësinë e një mini-samiti nuk merrë pjesë presidenti serb, Boris Tadic.

Nga presidenca e Maqedonisë në Shkup theksuan se presidenti Ivanov, presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga si dhe presidenti malazez Filip Vujanoviq do të përsërisin përkushtimin e tyre për të ndarë vlera evropiane, vizionin e përbashkët për të ardhmen, përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE dhe NATO si dhe realizimin e qëllimeve strategjike rajonale nëpërmjet bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal.

Burime pranë presidencës gjithashtu informojnë se nisma e tillë nuk përjashtohet që në të ardhmen të përfshijë edhe Greqinë dhe Serbinë.

Në këtë takim pritet që të ketë nisma për projekte të reja rajonale në sferën e infrastrukturës dhe bashkëpunimit energjetik.

Takimit të katërshes së presidentëve i mungon vetëm Fatmir Sejdiu, i cili është zëvendësuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Dy takimet e para të ashtuquajtura si mini-samite presidenciale u zhvilluan në Vlorë në vitin 2009 dhe në Prizren në vitin 2010. (INA)

 

© Panorama.al

Te lidhura