Koncesioni i sterilizimit, PD kërkon interpelancë me ministren e Shëndetësisë, Spahia: Qeveria ka qëllim përfitimin, SPAK të hetojë!

Mar 31, 2026 | 10:50

Partia Demokratike denoncon publikisht skandalin më të fundit me koncesionin e Sterilizimit që tashmë prej disa javësh i ka kaluar shtetit, duke akuzuar se qytetarët nuk kanë mundësi të kryejnë analizat.

bardh spahia kuvendi

Për këtë shkak është kërkuar edhe një interpelancë në Parlament me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala.

Këtë e deklaroi sot gjatë një konference për mediat deputeti i PD-së, Bardh Spahia, njëkohësisht ish-kryebashkiak i Shkodrës.

“Partia Demokratike kërko një interpelancë në Parlament me ministren e Shëndetësisë për çështjen e sterilizimit. Ajo vetë e pranoi publikisht se qytetarët nuk kanë mundësi të bëjnë analizat”, tha Spahia mes të tjerash, duke iu referuar edhe deklaratës javën e kaluar të ministres se “pas datës 20 nuk kishte analiza në QSUT”.

Ai akuzoi qeverinë se edhe në këtë rast, nëpërmjet koncesionit që tashmë është bërë shtetëror, kërkon përfitime, duke i bërë thirrje SPAK që të hetojë.

“Pse SPAK nuk heton koncesionin e Sterilizimit. Ministria e pranoi vete se nuk bëhen analizat. Qeveria e ka vendosur në qendër të vëmendjes përfitimin nga koncesioni, kërkojmë hetimin e këtij rasti”, deklaroi ligjvënësi demokrat ditën e sotme nga selia e Kuvendit.

Spahia deklaroi se qytetarët po hasin prej ditësh vështirësi për të kryer analizat laboratorike, duke e cilësuar situatën shqetësuese. Dhe pikërisht për këtë arsye, opozita ka kërkuar zhvillimin e një interpelance në Parlament me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala.

© Panorama.al

Te lidhura