Koncert homazh për kompozitorin e “Kumbarit”

Jan 12, 2012 | 12:22
Kompozitori Nino Rota

Në 100-vjetorin e lindjes së kompozitorit të madh italian, nesër mbrëma Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të zhvillojë një koncert homazh në sallën e Universitetit të Arteve. Nën drejtimin artistik të David Tukiqit dhe dirigjim të maestro Vito Clemente-s, do të vijë për publikun një program i pasur me vepra të shkëputura nga krijimtaria e kompozitorëve të mëdhenj italianë, si Giuseppe Verdi, Giacomo Puccini, Vincenzo Bellini, Pietro Mascagni e pa dyshim edhe dy pjesë nga krijimtaria e kompozitorit Nino Rota. Bëhet fjalë për uverturën “Il Cappello di paglia di Firenze” dhe “Simfonia sopra una canzone d’amore”. Ky koncert i cili mbështetet nga Instituti Italian i Kulturës, vjen si homazh për kompozitorin dhe akademikun italian, që do të kujtohet më së shumti për kolonat zanore të filmave që i kanë rezistuar kohës. Ka bashkëpunuar me regjisorët Franco Zeffirelli e Frabcis Ford Coppola dhe suksesi i tij më i madh do të jetë pikërisht kolona zanore e filmit “Kumbari”. Studimet e para i mori në Romë dhe në 1930 përfundoi studimet në Konservatorin “Santa Cecilia” në degën e kompozicionit. Po në këtë vit shkoi në SHBA, ku frekuentoi disa kurse perfeksionimi, për t’u kthyer më pas në Itali, ku do të hynte në historinë e artit italian. Ka krijuar mbi 150 kolona zanore për filma italianë e të huaj, por edhe një numër të madh veprash klasike për muzikë dhome, opera lirike, koncerte etj.

© Panorama.al

Te lidhura