Komunistët: Fevziu të shpallet “non grata”

Jan 27, 2012 | 13:07

GJIROKASTER – Blendi Fevziu shpallet person i padëshiruar nga komunistët gjirokastritë. Shkak është bërë botimi i librit më të fundit “Enver Hoxha” duke acaruar së tepërmi ekstremistët e majtë të cilët në mënyrë demonstrative, i kanë vënë flakën librit që ka hapur polemika të zjarrta në radhët e mbështetësve të ish-diktatorit komunist. Për komunistët gjirokastritë, Blendi Fevziu ka shpifur paturpësisht ndaj figurës së Enver Hoxhës duke e etiketuar në lloj-lloj formash. “Gjithçka që ka bërë ky kopuk për komandantin tonë të zjarrtë është veçse një paturpësi e madhe dhe lerosje e figurës së ndritur të komandantit legjendar”, është shprehur për gazetën Eqrem Peçi, një prej drejtuesve të komunistëve lokalë. Sipas tij, Fevziu, meriton të ndëshkohet me mospranimin e tij në vendlindjen e ish liderit historik që ndërtoi Shqipërinë. Komunistët janë shprehur se autori ka si qëllim diskreditimin e figurës së ndritur të Enver Hoxhës. “Kërkojmë nga populli gjirokastrit dhe nga të gjithë ata që dëshirojnë t’i bashkohen iniciativës sonë të ndershme, të djegin këtë libër paçavure që dëmton në mënyrë të qëllimshme figurën e Enver Hoxhës”, tha Peçi. Ky i fundit, më pas i shoqëruar edhe nga disa komunistë të tjerë kryesisht të moshuar, kanë djegur në mënyrë demonstrative botimin e Fevziut. Gjithçka ka ndodhur pasditen e djeshme në ish-Shtëpinë e Ushtarakëve në qytetin e Gjirokastrës. Djegia demonstrative e librit të Fevziut, është shoqëruar nën vështrimin e dhjetëra kureshtarëve të cilët ishin mbledhur për të parë veprimin e komunistëve të cilët krahas djegies, lëshonin edhe parulla “Enver Hoxha, tungjatjeta, se me ty është jeta” apo dhe parulla të tilla si “Lavdi veprës dhe figurës së Enver Hoxhës”. Të gjithë së bashku komunistët deklaruan se do t’i paraqesin shumë shpejt kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Bime, një kërkesë zyrtare për të shpallur person “non grata” autorin Blendi Fevziu. E njëjta protestë ka qenë dje dhe në Fier. Në këtë qytet, rreth 20 mbështetës të figurës së Enver Hoxhës thanë se është një libër i botuar për të fituar para duke shtrembëruar realitetin. Ata kanë kërkuar publikisht që Uran Butka të bëjë një vlerësim të historisë, pa e devijuar atë.        p.n/m.r

© Panorama.al

Te lidhura