Kompromisi për përfaqësimin, Kosova “lë” termin republikë

Jan 27, 2012 | 12:50

Takimi i ri pritet në fillim të shkurtit, NATO kërkon zgjidhje të shpejtë

Robert Kuper

Lehtësuesi i dialogut, Robert Kuper, ka paralajmëruar se Kosova dhe Serbia do të arrijnë një marrëveshje në fillim të shkurtit, e cila do të jetë e dhimbshme për të dyja palët. Sipas mediave, në paktin që do të arrihet mes Prishtinës dhe Beogradit për përfaqësimet rajonale të Kosovës, ajo do të “humbasë” termin republikë, ndërsa Serbia nuk duhet të pretendojë përdorimin e termave të Rezolutës 1244 në përfaqësimin e Kosovës. Robert Kuper vizitoi të mërkurën Beogradin dhe dje duhej të ishte në Prishtinë për t’u takuar me liderët e administratës, pikërisht për të diskutuar këto kushte. Por vizita e tij u anulua për shkak të motit të keq në Kosovë. Pas vizitës në Beograd, Kuper është kthyer në Bruksel. Takimi i ardhshëm mes dy palëve nuk është përcaktuar ende, por pritet të jetë në fillim të shkurtit. Takimi i fundit u mbajt në fund të vitit 2011, ku është arritur edhe marrëveshja për menaxhimin e integruar të pikëkalimeve, e cila nuk po respektohet nga Beogradi në praktikë. Kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, ka pranuar të mërkurën për “Koha Ditore” se pala kosovare është pajtuar që Kosova të prezantohet në rajon pa termin republikë. Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, deklaroi dje në Bruksel mbështetjen e tij për dialogun Prishtinë-Beograd. Në një konferencë për mediat, Rasmusen theksoi se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë zgjidhje të përhershme për shumë çështje të tjera të rëndësishme dhe të kontribuojnë më procesin e pajtimit dhe të normalizimit në rajon. Ai vlerësoi punën e trupave të NATO-s për ruajtjen e sigurisë dhe mbrojtjen për të gjithë njerëzit në Kosovë, në mënyrë të paanshme. Sipas Rasmusen, KFOR-i ka ndihmuar në forcimin e paqes dhe të zgjidhjes politike për Kosovën, me qëndrimin e një statusi neutral.

Akuza e Jeremiç
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, tha se Kosova dhe vendet e mëdha që e mbështesin pavarësinë e saj po blejnë njohjet në vendet e botës së tretë. Në një deklaratë nga Adis Adeba e Etiopisë, Jeremiç theksoi se “mbi vendet afrikane që nuk e kanë njohur ende Kosovën ka shumë presion dhe kërcënime. Shuma të mëdha parash të pista janë vënë në dispozicion të kësaj çështjeje”, akuzoi ai. Sipas Tanjug, reagimi i Jeremiç përkoi me njohjen e Kosovës nga Gana, e cila u bë vendi i 87-të që e njohu Republikën e re.

© Panorama.al

Te lidhura