Kompleksiteti dhe thjeshtësia e reformës zgjedhore

Nov 23, 2011 | 9:10

DONIKA ÇAPI

Miratimi më datë 17 nëntor në Kuvendin e Shqipërisë me konsensus (dhe unanimitet) i projektvendimit për ngritjen e Komisionit të posaçëm për Reformën. Zgjedhore, është një tregues i rëndësishëm për jetën politike dhe qytetare të vendit. Sigurisht, jo vetëm për shkak se pozita dhe opozita bien dakord rreth diçkaje mbas muajsh të tërë mosdakordësie rreth gjithçkaje, as sepse OSBE/ODHIR-i e kishte rekomanduar një vullnet të tillë politik.  Mbi të gjitha, ky unanimitet kartonësh jeshilë tregon se sa e rëndësishme dhe, pa ekzagjerim “jetike”, është shpërndarja e votës në një sistem demokratik. Për vetë faktin se demokracia është në thelb përfaqësim dhe, si e tillë, ajo jetësohet vetëm atëherë kur zgjedhësi mund të zgjedhë përfaqësimin e vet. Në këtë pikëpamje, të gjitha sistemet demokratike vuajnë pak a shumë nga nevoja për të përsosur sistemet e përfaqësimit dhe nga nevoja për të krijuar besueshmërinë e mjaftueshme te sovrani popull për soliditetin dhe qëndrueshmërinë në kohë të mekanizmave të përfaqësimit. Një tension i përhershëm mes sistemeve zgjedhore (gjithmonë të paplota) dhe administrimit zgjedhor (ngurtësuar në ligj).
Rrjedhimisht, qoftë populli, qoftë të gjitha partitë politike do të binin përherë dakord për të përmirësuar sistemin zgjedhor. Fatmirësisht, ndryshimet e prillit 2008 në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë bënë që vetëm mekanizmi i shpërndarjes së votës të jetë i sanksionuar në parim kushtetues (ai i proporcionalitetit). Por ky përcaktim ishte mjaftueshëm gjenerik sa të mos ngurtësonte zonat e administrimit zgjedhor, numrin e mandateve për çdo zonë apo institucionet e administrimit zgjedhor. Elemente këto që i lihen për përcaktim Kodit Zgjedhor.
Ky është një element tejet pozitiv që i lejon një demokracie të re si ajo shqiptare që të mësojë prej eksperiencave të saj, siç edhe tregoi rasti i zgjedhjeve të fundit për pushtetin vendor, të cilat vendosën, për shembull KQZ-në, përballë domosdoshmërisë së interpretimit të mëtejshëm të funksionit të saj administrues apo vendimmarrës.
Gjithkush që është ekspert i sistemeve zgjedhore e di shumë mirë se brenda përcaktimeve gjenerike, si: sistem maxhoritar, proporcional apo miks, sistemet zgjedhore janë të shumëllojshme. Kjo sepse sistemi zgjedhor lidhet si me procesin e zhvillimit të zgjedhjeve, ashtu edhe me administrimin e votës dhe ndarjen e saj në mandate. Ajo që politologët pranojnë të gjithë së bashku është se çdo sistem elektoral ka veçantinë e vet, pikërisht sepse çdo sistem politik vendas ka një parim të vetin udhëheqës, që përbehet nga: lloji i votës së kërkuar (direkte, indirekte apo me përfaqësim); përkthimi i votës në mandate; ndarja territoriale apo sociale e zonës zgjedhore.
Në varësi të mbizotërimit të njërit apo tjetrit element, zgjidhet edhe sistemi elektoral përkatës.
Kështu, për shembull, shumica e vendeve që kanë traditë të demokracive direkte, ku qytetari thërritet jo vetëm për të përzgjedhur alternativën më të mirë, por edhe për të ndikuar në “fytyrën” dhe “emrin” e qeverisë, preferojnë kombinime mes sistemit maxhoritar (një-emëror) dhe atij proporcional me listë të hapur shumemerore dhe me renditje preferenciale të emrave në listë sipas votuesit (veç të tjerash, Franca, Luksemburgu, Belgjika apo Italia), apo sistemeve maxhoritare dhe listave të bardha, ku votuesi indikon vetë emrin e secilit kandidat (siç dikur në Gjermani).
Në rastet më të shumta gjejmë një miksim të sistemit proporcional kombëtar me atë maxhoritar (kryesisht të tipit “first pass the post”) në rastet kur zonat zgjedhore janë të ndara jo vetëm sipas territorit, por edhe sipas përqendrimeve etnike apo sociale të popullsisë (rasti më i pastër janë fqinjët tanë Kroacia dhe Sllovenia).
Siç ka edhe raste të proporcionalit të pastër kombëtar që aplikohet vetëm në tri vende: Holandë, Izrael dhe Paraguai. Varësisht nga sistemi i përdorur ndryshon edhe formula e llogaritjes së votës së përkthyer në mandat, por është pak a shumë e pranuar se formula e D’Hondt favorizon sistemin dypartiak kur përdoret në sistemet proporcionale dhe ajo e Saint-Laguë atë shumëpartiak, veçanërisht varianti i modifikuar i formulës së këtij të fundit.
Prandaj, duket se do të ketë të paktën dy këndvështrime të ndryshme për punën me Kodin Zgjedhor të ardhshëm.
Studiuesit e politikës, ekspertët ligjorë dhe administratorët do të duhet të interesohen më tepër për parimet udhërrëfyese që do të përçojnë sistemin zgjedhor në tërësi, për përbërjen e institucioneve dhe legjitimimit të tyre kah profesionalizmi dhe paanshmëria. Partitë politike do të interesohen për maksimizimin e vendeve të tyre në parlament, pra për mënyrën e llogaritjes së përkthimit të votës në mandat.
Duke qenë së projektvendimi i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë shprehet edhe për konsultime me ekspertë të sistemeve zgjedhore, veç anëtarëve të partive politike, të bën të gjykosh se të dyja tendencat do të gjejnë përfaqësimin e duhur e që rekomandimet e Komisionit të Venecias, të konsoliduara në manualin “Code of Good Practices in Electoral Matters”, do të jenë në fokus.
Gjithsesi, vëmendja më së shumti mund të jetë e përqendruar te fakti që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë sanksionon sistemin proporcional, por siç e pamë, brenda etiketimit “proporcional” ka një larmi variacionesh, për shkak të të cilit edhe pritet me shumë kuriozitet puna e komisionit të posaçëm.
Duke mbajtur parasysh se proporcionaliteti synon përfaqësim të “pakufizuar” të elementit politik, qoftë ky parti politike parlamentare, joparlamentare apo individ i pavarur, arsyetimi të çon drejt idesë se diskutimet rreth reforma do të përqendrohen pikërisht në përkthimin sa më të drejtë të proporcionalitetit dhe garancinë e zbatimit të tij. Gjë që mund të çojë në një reformë përllogaritjesh, pragjesh, institucionesh administruese, numëruese, menaxhuese dhe financuese.
Të gjitha këto janë lehtësisht e përkthyeshme, mjafton të zgjidhet parimi i duhur.

© Panorama.al

Te lidhura