Kompensimi, legalizimet del fondi për 3500 pronarë, do marrin 9.4 miliardë lekë

Sep 25, 2011 | 12:09

Kompensimi i ish-pronarëve është planifikuar që në tri vitet e ardhshme t’i kushtojë qeverisë plot 9.4 miliardë lekë, duke shpërblyer kështu një numër total prej 3500 qytetarësh që janë prekur nga ndërtimet informale. Dy janë projektet që lidhen me kompensimin e pronarëve dhe që janë paraqitur nga Ministria e Drejtësisë në projektdokumentin e “Programit buxhetor 2012-2014”, për të cilat Këshilli i Ministrave ka dhënë miratim.
Kompensimi nga buxheti
Projektdokumenti i shtrin të dhënat e tij në një hark kohor prej katër vitesh, duke përfshirë edhe 2011-n. Deri në fund të këtij viti, qeveria parashikon që numri i pronarëve që do të kompensohen nga fondet buxhetore për shkak se janë shpronësuar, të jetë 600. Vlera në lekë për kompensimin e tyre do të jetë 647 milionë lekë. Për tri vitet e tjera të përfshira në “Programin buxhetor 2012-2014” parashikohet që numri total i pronarëve që do të kompensohen nga fondet buxhetore do të jetë 2500. Kështu, për vitin 2012, numri i pronarëve parashikohet 400 dhe vlera e vënë në dispozicion nga shteti 842 milionë lekë. Për vitin 2013, numri i pronarëve parashikohet të jetë 900 dhe vlera e vënë në dispozicion 2 miliardë lekë, ndërsa për vitin e fundit, 2014, kompensimi do të shkojë për 1200 pronarë të shpronësuar, të cilët do të marrin 2.6 miliardë lekë.
Fondet e ALUIZNI-t
Projekti i dytë i Ministrisë së Drejtësisë përfshin kompensimin për ish-pronarët e pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet informale me paratë që mblidhen nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale. Deri në fund të këtij viti, me të ardhurat e mbledhura nga ALUIZNI, parashikohet që të kompensohen 1300 ish-pronarë dhe vlera e vënë në dispozicion është 1.4 miliardë lekë. Për vitet në vijim, edhe pse shuma e parave në buxhet për kompensimin e pronarëve mbetet e pandryshuar, numri i qytetarëve përfitues ulet ndjeshëm. Nga 1300 që është për këtë vit, vitin e ardhshëm parashikohet që të kompensohen 350 qytetarë, të cilët do të ndajnë një shumë prej 1.4 miliardë lekësh. Po kaq është vlera e fondit edhe për vitin 2013 dhe numri i ish-pronarëve përfitues është po 350, kurse në vitin e fundit të projektdokumentit parashikohet që rreth 1.2 miliardë lekë të ardhura nga ALUIZNI t’u ndahen plot 300 ish-pronarëve.
Kërkesa
Zgjidhja e problemit të pronave mbetet një nga kërkesat kyçe për institucionet ndërkombëtare dhe së fundi ishte Banka Botërore. Gjatë vizitës së fundit në Shqipëri, koordinatorja rajonale për Europën Juglindore, Jane Armitage, u shpreh se qeveria duhet të bëjë përpjekje për t’u kthyer ish-pronarëve pronat. “Qeveritë e njëpasnjëshme kanë bërë përpjekje për ta rregulluar këtë problem, që njerëzve t’u jepet mundësia që të regjistrojnë pronat e tyre. Shqipëria duhet të nxitojë ta zgjidhë këtë problem pasi ai është rritur edhe për shkak të emigrimit të brendshëm”, u shpreh Armintage.

647 milionë lekë
nga buxheti i shtetit janë vënë në dispozicion të 600 pronarëve si kompensim për shpronësimin e tyre për vitin 2011. Për tri vitet e ardhshme, 2012-2014, parashikohen që të shpenzohen 5.4 miliardë lekë nga buxheti për kompensimin e 2500 ish-pronarëve, nga të cilët 400 për 2012-n, 900 për 2013-n dhe 1200 për 2014-n.

1.4 miliardë lekë
do të shkojnë deri në fund të këtij viti për kompensimin e pronarëve të pronave të paluajtshme, të cilët janë prekur nga ndërtimet informale. Këto para vijnë si të ardhura nga ALUIZNI. Vitet e ardhshme, fondi që do të vihet në dispozicion nga të ardhurat e kësaj agjencie do të jetë 4 miliardë lekë dhe i destinuar për 1000 ish-pronarë.
do të shkojnë deri në fund të këtij viti për kompensimin e pronarëve të pronave të paluajtshme, të cilët janë prekur nga ndërtimet informale. Këto para vijnë si të ardhura nga ALUIZNI. Vitet e ardhshme, fondi që do të vihet në dispozicion nga të ardhurat e kësaj agjencie do të jetë 4 miliardë lekë dhe i destinuar për 1000 ish-pronarë.

Kompensimi për ish-pronarët
Kompensimi nga buxheti
Viti 2011            600 pronarë
Viti 2012            400 pronarë
Viti 2013            900 pronarë
Viti 2014             1200 pronarë

Fondi 2012-2014   5.4 miliardë lekë

Kompensimi nga ALUIZNI
Viti 2011           1300 pronarë
Viti 2012           350 pronarë
Viti 2013           350 pronarë
Viti 2014           300 pronarë

Fondi 2012-2014  4 miliardë lekë

Pengesa për investimet
Moszgjidhja e problemit të pronave, jo pak herë në raportet ndërkombëtare është konsideruar si një nga pengesat kyçe që i bën investitorët të ngurrojnë për të investuar. Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim apo Instituti i Vjenës në raportet e tyre kanë konkluduar se zgjidhja e problemeve të pronësisë do t’u jepte një tjetër zhvillim investimeve të huaja direkte në vendin tonë. Edhe raportet e të bërit biznes, jo rrallë kanë nxjerrë si pengesë problemin e pronave, i cili  në jo pak raste përfundon në gjykata, me një sorollatje të vazhdueshme për biznesin.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura