Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula thotë se dyshohet që një pjesë e misrit rifuxho të kontaminuar me Aflatoksinë B1 mbi normat e lejuara që kompania “Modi SHPK” tentoi që të importonte është hedhur në treg.
Në një dalje për mediat, ai tha se nga verifikimet rezultoi se sasia ishte e përzier dhe pa gjurmueshmëri, ndërsa në kontrollin fizik të 4 marsit u gjetën vetëm 9.5 tonë, duke ngritur dyshime për lëvizje të paligjshme të produktit.
Sula theksoi se ka indicie të forta që një pjesë e sasisë është hedhur në treg, pasi të dhënat nga Tatimet tregojnë tregtim prej rreth 119 ton gjatë periudhës nëntor 2025 – shkurt 2026.
Ai bëri me dije se AKU ka marrë masa të menjëhershme: bllokimin e produktit, vendosjen e 5 gjobave, urdhërimin e asgjësimit deri më 3 prill 2026 dhe referimin e rastit në Prokurori për shkelje penale, përfshirë përdorimin dhe tregtimin e produktit të pasigurt.
“Nga 104 ton të bllokuara, janë konstatuar vetëm 9.5 ton, gjendje në datë 04.03.2026. Kjo është objekt hetimi. Ka indicie të forta se ka dalë në treg. Sipas të dhënave nga Tatimet, subjekti ka tregtuar rreth 119 ton gjatë periudhës nëntor 2025 – shkurt 2026.”, tha Sula.
Sipas Sulës, janë konstatuar edhe shkelje të rënda nga subjekti, si prishja e shenjave të bllokimit dhe mungesa e gjurmueshmërisë, ndërsa paralelisht po verifikohen edhe përgjegjësi institucionale për mosbllokimin e ngarkesës në kufi.
Ai sqaroi se rasti lidhet me ushqimin për kafshë dhe deri tani nuk ka prova për rrezik të drejtpërdrejtë për konsumatorët, por theksoi se institucionet kanë vepruar me kujdes maksimal për të parandaluar çdo pasojë.
Disa ditë më parë, Drejtoria rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Qarku Shkodër njoftoi se kishte kallëzuar penalisht në prokurori kompaninë në fjalë që importon mistër nga Serbia. Firma, sipas kallëzimit të hartuar nga kjo drejtori akuzohet për veprën penale ‘mashtrim me produktet ushqimore’.
© Panorama.al












