Komisioni i Ankimimit në Policinë e Shtetit ka rishikuar këtë të martë disa nga masat disiplinore të vendosura më herët nga Drejtoria e Standardeve Profesionale ndaj drejtuesve të policisë në disa qarqe të vendit.
Sipas burimeve, për ish-drejtorin e Policisë së Lezhës, Altin Mena, komisioni vendosi shtyrje të afatit të gradimit për tre muaj, duke rrëzuar vendimin fillestar që parashikonte ulje në gradë për pesë vite.
Ndryshim ka pasur edhe për zëvendësdrejtorin për rendin në Lezhë, Taulant Gjoka, për të cilin komisioni vendosi shtyrje të gradimit për gjashtë muaj, duke hequr masën e parë që ishte përjashtim nga Policia e Shtetit.
Po ashtu, për shefin e Komisariatit të Lezhës, Oltion Gjoni, i cili fillimisht ishte përjashtuar nga radhët e policisë, Komisioni i Ankimimit vendosi ta rrëzojë këtë vendim dhe të japë si masë shtyrje të gradimit për një vit.
Ndërkohë, për zëvendësdrejtorin e Policisë së Fierit, Oliger Torba, komisioni anuloi masën e uljes në gradë dhe vendosi përfundimisht vetëm masë vërejtjeje.
Gjatë mbledhjes së kësaj të marte, Komisioni i Ankimimit shqyrtoi rreth 25 ankesa të paraqitura nga punonjës të ndryshëm të policisë, ndaj të cilëve më herët ishin vendosur masa të ndryshme disiplinore.
© Panorama.al












