
Falsifikojnë në certifikatë kombësinë nga shqiptarë në grekë, për të përfituar leje qëndrimi në shtetin helen.Policia e Sarandës nisi dje hetimin për katër shtetas, banorë të komunës Xarrë, pasi ndër dokumentet e çuara prej tyre në Konsullatën greke në Gjirokastër për t’u pajisur me lejen 100-ditëshe të qëndrimit, dyshohet se certifikatat e tyre të jenë false. Sipas burimeve, ndaj personave ka nisur procedimi penal pasi dyshohen të kenë falsifikuar në certifikatat e tyre personale termin kombësi nga “shqiptar” në “grek”. “Ka nisur procedimi për katër shtetas banorë të komunës së Xarrës: 43-vjeçarin Foto Shupuli, banues në fshatin Mursi; 39-vjeçarin Jaras Shupuli, nga fshati Mursi; 66-vjeçarin Mihal Shupuli, banor i fshatit Xarrë; si dhe 39-vjeçaren Jorgulla Jani, edhe kjo banore e fshatit Xarrë. Dyshohet se këta shtetas kanë paraqitur në Konsullatën greke, me qëllim për të përfituar leje qëndrimi për në shtetin grek, certifikatë të falsifikuar në rubrikën e kombësisë”, bënë të ditur burime nga Policia e Sarandës. Mësohet se katër shtetasit e mësipërm janë shpallur në kërkim. Ndaj tyre nisi hetimi pas evidentimit të punonjësve të Konsullatës, të cilët, gjatë shqyrtimit të dokumentacioneve të personave që kanë bërë kërkesë për leje qëndrimi në Greqi, konstatuan certifikatat ku citohej kombësia e këtij shteti. “Rubrika e kombësisë është falsifikuar nga shqiptarë në grekë”, bënë të ditur burime të Policisë.
Gjatë viteve të fundit është kthyer në një fenomen ndërrimi i kombësisë, kryesisht nga banorët në Jug të vendit. Me qëllim përfitimin e pensioneve në Greqi, apo mjaft lehtësirave të tjera të qëndrimit të tyre në këtë shtet, ata janë detyruar të ndërrojnë kombësinë e tyre. Shifrat u bënë alarmante, aq sa nisi edhe inspektimi nëpër gjykatat e rretheve, të cilat kishin dhënë vendime abuzive përsa i përket ndërrimit të kombësisë. Në Korçë, Gjirokastër, Përmet dhe rrethe të tjera afër kufirit, u konstatuan mjaft raste të shtetasve që kishin kërkuar ndryshimin e kombësisë. Për rastin e katër shtetasve të mësipërm, ende nuk është konfirmuar nëse certifikata është hedhur në komunën e tyre Xarrë, apo ajo mund të jetë marrë në forma të tjera abuzive, duke ia paraqitur Konsullatës si një dokument zyrtar. Ndërkaq, nuk rezulton që këta shtetas të kenë kryer më parë ndonjë kërkesë në gjykatë për ta ndryshuar kombësinë. “Dokumentacioni në ngarkim të katër shtetasve: Foto Shupuli, Mihal Shupuli, Jaras Shupuli dhe Jorgulla Jani, i kaluan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Sarandë për hetime të mëtejshme për veprën penale ‘falsifikimi i akteve të gjendjes civile'”, bënë të ditur burimet e Policisë. Pak ditë më parë filloi shpërndarja e modelit të ri të certifikatave, që nuk e ka termin e kombësisë.
Personat në hetim
Foto Shupuli
43 vjeç, nga fshati Mursi
Jaras Shupuli
39 vjeç, nga fshati Mursi
Mihal Shupuli
66 vjeç nga fshati Xarrë
Jorgulla Jani
39 vjeçe, nga fshati Xarrë
Inspektimet në gjykata
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, inspektoi pak kohë më parë nga afër vendimet e Gjykatës së Gjirokastrës për ndryshimin e shtetësisë nga qytetarët e zonës.
“Po shihet me shqetësim një numër i lartë pranimesh nga gjykatat për ndërrimin e kombësisë së shtetasve shqiptarë. Vetëm në Gjirokastër, që nga viti 2004 janë shënuar mbi 1600 raste”. U shpreh Spahiu. Ai ndërmori një inspektim edhe në gjykatat e rretheve të tjera të Jugut lidhur me këto çështje.
Nënkryetari i KLD-së ishte edhe Korçë, ku apeloi që gjykatat të jenë të kujdesshme në pranimin e kërkesave të shtetasve për ndryshimin e kombësisë. Reagimi i tij erdhi pak ditë pas deklaratës së konsullit grek “për helenizimin e Korçës”. Por, raste të abuzimeve me shtetësinë dyshohet të ketë edhe në Përmet, Sarandë, në Vlorë etj. Në jo pak raste janë vërejtur fenomene të kombësive të ndryshme ndërmjet një familjeje, ku një vëlla rezultoi me kombësi greke e tjetri me kombësi shqiptare.
Shkodër, 2 mijë veta firmosin peticionin e Aleancës Kuq e Zi
SHKODER – Mbi 2 mijë banorë të Shkodrës firmosën dje kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Aleanca Kuq e Zi po vazhdon mbledhjen e firmave të nevojshme për iniciativën e tyre të nisur disa kohë më parë. Pas një turi të gjatë në qytetet kryesore të vendit, Aleanca Kuq e Zi mbërriti dje në qytetin e Shkodrës për të vazhduar me firmosjen e peticionit kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike.
Përfaqësuesit e Aleancës i ftuan qytetarët të firmosin këtë peticion, ndërkohë që deklaruan se regjistrimi mbi baza etnike dhe fetare është joligjor, jokushtetues dhe i papërshtatshëm për Shqipërinë. Mijëra qytetarë iu bashkuan parimeve të kësaj Aleance duke hedhur firmat e tyre në mbështetje të ideve kombëtare që përfaqëson. Kësaj nisme iu bashkuan edhe futbollistët e ekipit të Vllaznisë. Sipas anëtarit të Aleancës, që njëkohësisht është edhe portier i ekipit të Vllaznisë, Armir Grima, vërehet një interes i shkodranëve për të firmosur peticionin. Një interes të madh në hedhjen e firmave paraqitën gjithashtu edhe studentet e universitetit “Luigj Gurakuqi”. Historianë dhe specialistë të ndryshëm e shohin mjaft të rrezikshme procedurën e regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike e fetare. r.d
SARANDE/ SHPRESA DINE
© Panorama.al











