Tashmë mbetet krejtësisht e qartë se do të jetë Kolegji Zgjedhor vulosësi i fatit të zgjedhjeve të 8 majit në Tiranë. Pavarësisht faktit nëse vendimi do të jetë apo jo në përputhje me vullnetin e votuesve, për shkak të fatit të disa fletëve të votimit të numëruara në KQZ e jo në 11 KZAZ-të e Tiranës, ajo që duket me shumë rëndësi është fillimisht interpretimi ligjor, e më pas mënyrat e pranimit nga palët për këtë vendim të pritshëm. Por, paraprakisht, për të parashikuar edhe atë që mund të ndodhë, ne vlen të lexojmë disa qëndrime të deritanishme, ku kandidati demokrat ka deklaruar gjatë gjithë kohës se do të pranojë vendimet e institucioneve, ndërsa kandidati i opozitës nuk e ka artikuluar asnjëherë të njëjtën frazë. Madje, thuajse të gjithë shqiptarët kanë tashmë një bindje, të cilën duket se e ka inkurajuar qëndrimi i kreut të PS-së, njëherazi edhe kandidat për Bashkinë e kryeqytetit, se, nëse nuk njihet ai si fitues, do të ketë mosnjohje të zgjedhjeve.
Pra, duam s’duam ne, vendimi i Kolegjit do të prodhojë së paku dy lajme: Një për emrin e fituesit të Bashkisë dhe lajmin tjetër, që është sërish i ndarë më dysh nga ana e vet – që ose do të kemi protesta deri në mosbindje civile nga ana e opozitës, ose që Edi Rama njeh Kolegjin Zgjedhor nëse shpallet ai fitues.
Kjo shpërndarje qëndrimesh ndaj asaj që pritet nga Kolegji Zgjedhor e bën në fakt shumë të paqartë qëndrimin e opozitës përballë institucioneve, duke marrë paraprakisht pozicionin që “e ligjshme është ajo që kërkon PS-ja dhe që e bën atë fituese” dhe “e paligjshme çdo gjë që jep në favor të kundërshtarit”. Sepse duhet pranuar që deri më tani, Kolegji nuk është njohur nga Rama për shkak të vendimit të vitit 2009 për moshapjen e kutive, ndërkohë që tani “rrezikon të njihet” nëse Kolegji vendos t’i japë të drejtë kërkesës së PS-së për pavlefshmëri të votave që u numëruan në KQZ.
Por, duhet pranuar se çoroditja për këtë situatë ka ardhur edhe nga interpretimet e një numri jo të vogël juristësh, mes të cilëve Fehmi Abdiu e Njazi Jaho, njëri ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese dhe tjetri në emër të Komitetit të Helsinkit, të cilët, në mënyrë krejt paradoksale, e kanë konsideruar joligjor vendimin e KQZ-së për numërimin e çdo vote, a thua se janë të drejtat e njeriut që i përshtaten Kushtetutës dhe jo e kundërta. Por duket se e kaluara e tyre si juristë dhe prokurorë të diktaturës e bën të pamundur të kuptojnë themelin e funksionimit të demokracisë, që janë pikërisht të drejtat e njeriut.
Është e vërtetë absolute se shumica e shqiptarëve dëshiron shtetin ligjor. Por kjo dëshirë nuk mund të jetë reale nëse disa e dëshirojnë këtë gjë vetëm atëherë kur ligji i përkrah. E, aq më pak do të ishim për një gjë të tillë nëse të drejtat e njeriut të shkojnë në hatër të ligjit. Ndaj dhe zëra si Abdiu apo Jaho më shumë e dëmtojnë imazhin se mund të kemi shtet në përkrahje të të drejtave themelore të njeriut, për faktin se duket, se nuk do të munden t’i kuptojnë kurrë për shaka të së shkuarës së tyre.
Ne duhet të pranojmë se e vetmja gjë e pandryshueshme në demokraci mbetet se “Kushtetuta mbetet e ndryshueshme” dhe se të gjithë duhet të jemi të shqetësuar nëse ka ende ndonjë ligj apo ndonjë hallkë që shkel të drejtat elementare të njeriut, një prej të cilave është: të zgjedhë e të zgjidhet.
Kreu i opozitës ka treguar deri tani se njeh vetëm ato institucione që njohin kërkesat e tij. Madje njeh edhe ato pjesë të institucioneve që njohin ato që kërkon ai, siç është edhe rasti i KQZ-së, i cili, sipas Ramës, qenka institucion ligjor kur shpall Durrësin, Elbasanin, Vlorën apo qytete të tjera ku ka fituar opozita, dhe nuk qenka “institucion në binarë” kur vendimi qenka kundër tij, si në rastin e numërimit të votave të banorëve të këtij qytetit për kryetarin e tyre.
Gjithsesi, le të presim fillimisht dy lajme: Cili do të jetë kryetari dhe a do ta njohë Kolegjin Zgjedhor Edi Rama, nëse ai do të zgjidhet kryetar pas këtij gjykimi? Më pas, lajmet e tjera janë të lexueshme, pasi janë parathënë…
© Panorama.al












