Koha për një reformë zgjedhore më efektive

Nov 17, 2011 | 11:47

DODË PRENGA

Lajmin e fillimit të rishikimit të Kodit Zgjedhor duhet ta pasojë një debat publik i shëndetshëm dhe produktiv, sidomos në çështje teknike, edhe sepse ky ligj i rëndësishëm tradicionalisht është trajtuar në një fushë të kornizuar nga politika, ndaj debati publik dhe mediat në veçanti do të mundësojnë këndvështrime të munguara brenda sistemit. Kështu, Kodi Zgjedhor i 2008-s mund të lavdërohet sidomos për numërimin e hapur dhe disa elemente administrative, por ka edhe një sërë problemesh që duhen adresuar me kujdes dhe me analizë të detajuar, ngase politika vetiu mund të ndjehet më komode t’i lërë në heshtje, sa kohë pasojat e tyre nuk janë evidentuar në formën që ajo pëlqen, kritike dhe konsensuale njëherësh! Përkatësisht, diskutimi për defektet ligjore në Kod nisur nga problemet has në një vështirësi serioze, pasi ajo çfarë është problem për një palë nuk ekziston dhe përjashtohet nga një tjetër. Për të evituar këtë pengesë mund të synohet një vështrim tjetër, atë i përmbushjes nga ligji i parimeve kushtetuese dhe interesit të gjerë publik. Konkretisht, në nenin 1 të Kushtetutës thuhet se “… qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme dhe periodike…” dhe në nenin 2 se “… sovraniteti …i përket popullit” që “e ushtron nëpërmjet përfaqësuesve të vet ose drejtpërsëdrejti…”.
Një nisje efektive do të ishte kërkesa për një përputhje më të plotë të këtyre parimeve me urdhërimet e Kodit Zgjedhor. Duke parë këtë të fundit p.sh., rezulton se mungojnë rregullime të plota që mundësojnë demokracinë e drejtpërdrejtë – referendumet. Kodi aktual ka shfuqizuar Kodin e mëparshëm, ligji 9087, të ndryshuar, se e ka gjetur të papërshtashëm, por ka lënë në fuqi kapitullin (e nëntë) për referendumet, që realisht ka rezultuar defektoze, pasi bazuar në të, asnjë aksion i tillë nuk u konkludua. Po të ndodhte, prapë problem do të kishte, pasi aty parashikohet administrimi i një procesi referendar nga partitë politike (!), bile edhe në nivel lokal! Një problem i mprehtë  për diskutim të gjerë është çështja e produktit elektoral. Kodi në fuqi sanksionoi që partitë paraqesin listat të rendituara dhe mandatet ndahen sipas kësaj renditjeje. Por listat e renditura mund ta dëmtojnë demokracinë de facto, ulin cilësinë e të zgjedhurve dhe zbehin përfaqësimin. Në veçanti ato kufizojnë të drejtën e popullit për të zgjedhur lirisht përfaqësuesit e vet. Zgjedhësi shkon të japë një votë për njërin nga kandidatët që mund të jetë në një pozicion të pafavorshëm në listë, ndërsa vota shkon me detyrim disa vende më lart. Natyrisht, ky mekanizëm ka edhe avokati të pranueshme, ndërsa në kushtet tona, renditja në lista mund të mos përfaqësojë as vullnetin e forcës politike që i propozon, jo më të zgjedhësve. Alternativa e listave të hapura rivitalizon vlerat politike. Partia paraqet listën e kandidatëve të saj dhe zgjedhësi jep votën për njërin nga kandidatët që dëshiron. Fillimisht ajo votë numërohet për partinë. D.m.th. edhe meraku për të votuar partinë përmbushet. Pasi llogariten sa mandate i takojnë forcës politike, renditja e tyre bëhet sipas numrit të votave që kandidati ka marrë, d.m.th. renditja bëhet sipas vendimit të popullit votues. Ky mekanizëm ka të mirën e madhe se demokratizon dhe freskon vetë partitë në një mënyrë natyrale. Ky nuk mund të jetë qëllim në vetvete, por vjen si një rrjedhojë e dobishme pasi ka brenda dimensionin e interesit publik, pasi hierarkitë e partive politike nuk mund të quhen të mbyllura, ato janë as më shumë e as më pak se kopja e administratës së lartë shtetërore.  Vështirësi teknike lidhur kësaj çështjeje, si del fleta e votimit me shumë emra, janë të kapërcyeshme, p.sh. duke zbatuar një ndarje efikase zonash zgjedhore, ngjashmërisht me rrethin e dikurshëm etj., ku fleta e votimit do të kishte rreth 30-40 emra (natyrisht Tirana kërkon organizim me specifik).Një problem tjetër për t’u adresuar është edhe mbajtja në ligj i koalicioneve parazgjedhore.  Formula e shpërndarjes së mandateve në kushtet e koalicionit sipas Kodit aktual çon në një pabarazi në dy shkallë: numri i votave që i duhen subjektit prijës për të marrë mandatin e radhës e tejkalon disa herë numrin e votave me të cilin subjekti ndjekës merr mandatin e tij të radhës. Koalicionet parazgjedhore, ashtu si edhe listat e mbyllura, përmbajnë elementin e devijimit të votës, pasi votuesi ka dhënë votën për subjektin e dëshiruar prej tij, por ajo shkon për një subjekt në koalicion që ndoshta kurrë nuk do ta kishte votuar. Edhe këtu këndvështrimet nga brenda politikës mund e ndryshojnë dukshëm me ato nga jashtë për shkaqe natyrale, ndaj një adresim gjithëpërfshirës është më se i dobishëm. Elemente të tjera që janë trajtuar më gjerësisht se këto aspekte tregojnë se realisht është rasti për një reformë të plotë dhe efektive zgjedhore. Koha e mjaftueshme në dispozicion, ndryshe nga herë të tjera, jep mundësinë që kushdo ka mundësi të ofrojë një kontribut, duhet ta përmbushë. Politika  nuk mund të fajësohet në të ardhmen se nuk bëri gjënë që dëshiruam po nuk ia kërkuam.
* Ish-anëtar i KQZ

© Panorama.al

Te lidhura