Pakti PD-PS, rriten gjobat për makinat. Deri në 40 mijë lekë për tejkalim shpejtësie

Nov 23, 2011 | 9:02

Gati miratimi i ndryshimeve në Kodin Rrugor në Parlament, sanksione deri në 40 mijë lekë për tejkalim shpejtësie.

Nis shqyrtimi i ndryshimeve në Komisionin e Ligjeve, deputetët e  PS s’dalin kundër.

Parlamenti do të miratojë javën e ardhshme ndryshimet në Kodin Rrugor, sipas të cilave, katërfishohen gjobat për drejtuesit e automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve nisi shqyrtimi i ligjit të miratuar në qeveri në korrik të vitit të kaluar, i cili prek nenet e Kodit që i referohen tejkalimit të shpejtësisë, respektimit të tabela dhe dhënies së makinës në gjendje të dehur. Sipas këtyre ndryshimeve, të gjithë drejtuesit e mjeteve që kalojnë me jo më shumë se 10 km shpejtësinë përtej normës së lejuar, gjobiten me 2 mijë deri në 8 mijë lekë, ndërkohë që në ligjin aktual kjo gjobë është nga 500 deri në 2 mijë lekë. Në të njëjtën kohë, cilido që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga 10 mijë deri në 40 mijë lekë. Si pasojë e kësaj shkeljeje merret masa administrative plotësuese me pezullimin e leje-drejtimit nga një deri në tre muaj. Sipas ligjit të vitit 1998, kjo gjobë ishte 2500 lekë deri në 10 mijë lekë. Përfaqësuesit e Policisë së Shtetit, të pranishëm në mbledhjen e djeshme të Komisionit, sollën disa shifra të numrit të aksidenteve rrugore në vend si pasojë e mosrespektimit të rregullave të qarkullimit. Sipas përfaqësuesit të Policisë Rrugore, Qamil Sadikaj, gjatë këtij viti kanë humbur jetën 269 qytetarë për shkak të aksidenteve automobilistike. Ai tha se 27% e këtyre aksidenteve fatale janë për shkak të tejkalimit të shpejtësisë dhe 24% e tyre për shkak se drejtuesit e mjeteve nuk kanë patentë. Në të njëjtën kohë ai bëri të ditur se në 10-mujorin e këtij viti janë vendosur rreth 483 mijë gjoba në të gjithë vendin, si dhe janë arkëtuar 383 milionë lekë.
Olldashi
Në mbledhjen e djeshme të Komisionit ishte i pranishëm edhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i cili u pyet nga deputetët e opozitës nëse institucioni që ai drejton po përgatit ende amendime të Kodit Rrugor. Sipas Olldashit, ndryshimi i vetëm që po përgatitet është ai që zëvendëson termin “Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve” me “Autoriteti përgjegjës për rrjetin rrugor shtetëror”. Nënkryetari socialist i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, tha se Kodi ka nevojë për ndryshime të mëdha edhe për shkak të numrit të lartë të aksidenteve. “Për ne është e rëndësishme që Ministria ka një grup amendamentesh. Ajo që duam të dimë është fakti që këto do të bëhen pjesë e këtij procesi? Në mënyrë që Kuvendi të mos investohet edhe njëherë tjetër për këtë problem. Unë dhe kolegët mendojmë se Kodi Rrugor nuk ka nevojë vetëm për ndryshime teknike, por ka nevojë për ndryshime substanciale, për shkak se transporti rrugor është një gjë dinamike dhe së dyti, për shkak të problematikës që ka pasur këto vite lidhur me aksidentet”, u shpreh Xhafa. Në përgjigje të deklaratës së deputetit të opozitës, Olldashi theksoi se “jam dakord me atë që thotë Xhafa, që duke qenë se dinamika e transportit është e tillë që evoluon me ditë, herë pas here kemi nevojën që të rishikojmë të gjithë legjislacionin, jo thjesht Kodin Rrugor. Në këtë pikëpamje, do të ishte e udhës që në fillim të këtij procesi që ky komision ka ndërmarrë ne të shohim mundësinë që në të ardhmen një sërë kodesh t’i kualifikojmë si ligje. Kjo do të vlente për Kodin Rrugor, Ajror, Detar. Në praktikën e vendeve të BE-së, shumica i kanë këto si ligje të thjeshta”.

8 mije leke
Sipas ndryshimeve të propozuara në Kodin Rrugor, nëse një
drejtues automjeti tejkalon jo më shumë se 10 km shpejtësinë mbi normën e lejuar, gjobitet me 2-8 mijë lekë. Deri tani gjoba për këtë shkelje ishte nga 500 deri në 2 mijë lekë

383 milione leke
Përfaqësuesit e Policisë bënë të ditur dje në Komision se deri tani janë arkëtuar si të ardhura nga gjobat 383 milionë lekë. Në të gjithë vendin, nga 1 janari deri tani, janë vendosur 483 mijë gjoba për shkelje të normave të lejuara

Debati në Komision
Ilir Rusmali:
Ministria e Transporteve do të na shpjegojë për punën që po bën ky dikaster për ndryshimin e Kodit Rrugor.
Sokol Olldashi: Kemi të bëjmë vetëm me një ndryshim teknik. Parlamenti ka miratuar Ligjin e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe i vetmi ndryshim që nuk ka qenë në paketën e ndryshimeve të Kodit që ju keni përpara, është që në të gjitha dispozitat e Kodit ku përmendet Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të ndryshohet emërtimi sipas propozimit që ne kemi bërë në “Autoriteti përgjegjës për rrjetin rrugor shtetëror”. Nuk bëhet fjalë për një paketë ndryshimesh.
Fatmir Xhafaj: Për ne është e rëndësishme që Ministria ka një grup amendamentesh. Ajo që duam të dimë është fakti që këto do të bëhen pjesë e këtij procesi? Në mënyrë që Kuvendi të mos investohet edhe njëherë tjetër për këtë problem. Unë dhe kolegët mendojmë se Kodi Rrugor nuk ka nevojë vetëm për ndryshime teknike, por ka nevojë për ndryshime substanciale, për shkak se transporti rrugor është një gjë dinamike dhe së dyti, për shkak të problematikës që ka pasur këto vite lidhur me aksidentet.
Sokol Olldashi: Jam dakord me atë që thotë Xhafa, që duke qenë se dinamika e transportit është e tillë që evoluon me ditë, herë pas here kemi nevojën që të rishikojmë të gjithë legjislacionin, jo thjesht Kodin Rrugor. Në këtë pikëpamje, do të ishte e udhës që në fillim të këtij procesi që ky komision ka ndërmarrë ne të shohim mundësinë që në të ardhmen një sërë kodesh t’i kualifikojmë si ligje. Kjo do të vlente për Kodin Rrugor, Ajror, Detar. Në praktikën e vendeve të BE-së, shumica i kanë këto si ligje të thjeshta.
Sajmir Tahiri: Sa prej aksidenteve fatale janë shkaqe që ju përmendni në relacion? Nga 1 janari deri sot, sa janë ngjarjet me pasoja fatale dhe sa janë prej shkaqeve që keni renditur si amendamente në Kod?
Qamil Sadikaj (përfaqësues i Policisë së Shtetit): Aksidentet me pasoja fatale, që kanë ardhur si rezultat i mosrespektimit të normave të shpejtësisë, është 27% e numrit total. Fenomen i dukshëm për të cilin kemi kërkuar ndërhyrje është përdorimi i mjeteve pa u pajisur drejtuesit me dëshmi aftësie dhe këtu është 24.3% e rasteve që janë me pasoja fatale.
Sajmir Tahiri: Sa është totali i aksidenteve me pasojë humbjen e jetës nga 1 janari deri më sot?
Qamil Sadijak: 269 persona.
Sajmir Tahiri: Sa është totali i masave administrative të marra këtë vit, e përkthyer kjo edhe me totalin e arkëtimit? Sa gjoba dhe sa lekë janë mbledhur?
Qamil Sadikaj: Gjithsej gjatë periudhës 10-mujore janë 482 920 mijë.
Sajmir Tahiri: Sa lekë janë këto?
Qamil Sadikaj: Janë 383 615 571 lekë. Këto janë me të reja.

Ulja e numrit të aksidenteve
“Propozimet që bëhen për ashpërsimin e masave administrative me gjobë për këto kundërvajtje administrative, që përbëjnë një burim të shtuar rreziku për aksidentet, nisur edhe nga përvoja e vendeve të BE-së, të cilat i kanë ashpërsuar tepër, do të ndikojnë në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, parandalimin e ngjarjeve aksidentale dhe uljen e viktimave në trafik”, thuhet në relacionin e projektligjit. ADI SHKEMBI

Ambulanca vjen në 4% të aksidenteve

Pipero: Rreth 27% e të plagosurve  vdesin rrugës për në spital
Numri i aksidenteve është rritur frikshëm, ndërkohë që ndihma e parë është në nivele mizerabël. Përtej jetëve njerëzore, edhe  kostoja financiare është kolosale. Vlera e dëmit llogaritet në rreth 106 milionë euro humbje për çdo vit. Gjithçka e pranojnë edhe autoritetet shëndetësore. Sipas statistikave të prezantuara dje nga Ministria e Shëndetësisë në tryezën e përbashkët me OBSH-në, u bë me dije se vetëm 4% e rasteve dërgohen në spitale me mjete të specializuara (ambulancë) dhe ekipe mjekësore të ndihmës së shpejtë. ”I duhet dhënë një zgjidhje problemit të urgjencave, pasi pikërisht për shkak të mungesës së ndihmës mjekësore pas aksidentit, rreth 27% e të plagosurve rëndë në rast aksidenti humbin jetën gjatë transportit nga vendi i ndodhjes së aksidentit deri në spitalin më të afërt”, tha drejtori i politikave shëndetësore, Pëllumb Pipero, gjatë prezantimit të tij. Sipas Piperos, nga statistikat e 10 viteve të fundit rreth 35% e të vdekurve dhe të plagosurve nga aksidentet rrugore janë këmbësorë dhe 65% janë drejtues mjetesh dhe pasagjerë. Rreth 76% e këmbësorëve që humbin jetën në aksidentet rrugore janë fëmijë të moshës 0-15 vjeç dhe pleq të moshës mbi 65 vjeç. Nga tërësia e  drejtuesve të mjeteve që humbin jetën dhe plagosen në aksidente rrugore, 78% janë të moshës 18–44 vjeç. Në vitin 2002 janë regjistruar 478 aksidente me 259 të vdekur dhe 229 të plagosur. Ndërsa në vitin 2010 në të gjithë vendin janë regjistruar 1630 aksidente me 354 të vdekur dhe 1540 të plagosur. Shkaku kryesor i aksidenteve është shkelja e rregullave të qarkullimit në 78,8% të rasteve. Shpejtësia tej normës shkakton 29% të vdekjeve dhe 32% të plagosjeve. Rastet kur aksidenti shkaktohet si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit, nga këmbësoret janë 19% të rasteve. Përdorimi i alkoolit është shkaku i 6.7% të aksidenteve, ndërsa shkaqe natyrore dhe mangësi teknike 2.2%, vjetërsia e automjeteve, ku rreth 72% e automjeteve janë të amortizuara me vjetërsi mbi 10-vjeçare. I pranishëm në takimin e djeshëm ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Një nga elementet e rëndësishme është transporti dhe ndihma e shpejtë që u jepet qytetarëve. Puna për të respektuar një kulturë të re në rregullat e qarkullimit dhe dhënies së ndihmës së shpejtë është një punë shumë e madhe dhe jo rastësisht Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë një tjetër dimension sektorit të promocionit shëndetësor”, u shpreh ministri.

Statistikat
.    Në vitin 2010, në krahasim me vitin 2002, numri i të vdekurve është rritur 30%, ose 100 qytetarë më shumë.
.    Në 10 vitet e fundit, rreth 35% e të vdekurve dhe plagosurve nga aksidentet rrugore janë këmbësorë
.    Rreth 65% janë drejtues mjetesh dhe pasagjerë.
.    Rreth 76% e këmbësorëve që humbin jetën në aksidentet rrugore janë fëmijë të moshës 0-15 vjeç dhe pleq të moshës mbi 65 vjeç.
.    Nga tërësia e drejtuesve të mjeteve që humbin jetën dhe plagosen në aksidente rrugore, 78% janë të moshës 18–44 vjeç.
.    Vlera e dëmit llogarit në rreth 106 milionë euro humbje për çdo vit.
.    Rreth 76% e këmbësorëve që humbin jetën në aksidentet rrugore janë fëmijë të moshës 0-15 vjeç dhe pleq të moshës mbi 65 vjeç.
.    Nga tërësia e drejtuesve të mjeteve që humbin jetën dhe plagosen në aksidente rrugore, 78% janë të moshës 18–44 vjeç.
.    Vlera e dëmit llogarit në rreth 106 milionë euro humbje për çdo vit.

Shërbimi i urgjencës
Sipas specialistëve, është domosdoshmëri përmirësimi i shërbimit të urgjencës. ”Ky shërbim ka nevojë për ristrukturim dhe zhvillimin e një programi special për përmirësimin e shërbimit të shpëtimit”, shprehen specialistët. Sipas tyre, është e nevojshme që të garantohet sjellja e sigurt në vendngjarje e ndihmuesit të parë. Po kështu duhet të funksionojë numri i telefonit për shërbimet e urgjencës mjekësore, zjarrfikëse.

Rrugët pa sinjalistikë e standarde teknike
Rrjeti rrugor në Shqipëri nuk ka një pjesë të mirë të standardeve teknike të ndërtimit dhe mirëmbajtjes. Gjatë takimit të djeshëm u bë me dije se në shumë akse mungon sinjalistika e nevojshme. Po kështu, problematike janë kushtet normale të sigurisë së lëvizjes të mjeteve e këmbësorëve si ndërprerje shumë të shpeshta të rrugëve kryesore nga rrugë dytësore dhe të pasinjalizuara. “Mungesat e vendkalimeve të sigurta të këmbësorëve, kafshëve, mjeteve bujqësore, mungesa e semaforëve, e rreth-rrotullimeve, mungesa e korsive të biçikletave dhe mjeteve të transportit publik janë elemente të infrastrukturës që bëhen shkak për aksidente”, thanë specialistët. Në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, të gjithë aktorët janë zotuar të bëjnë  përpjekje për të përmirësuar kujdesin shëndetësor të traumave, të përmirësojnë standardet e makinave dhe të sigurisë së mjetit, promovim e edukimi të sigurisë rrugore dhe menaxhimin e sigurisë rrugore. OBSH është ngarkuar nga Kombet e Bashkuara që të koordinojnë punën për këtë dekadë. Zyrtarisht, dekada u lancua më 11 maj 2011. Vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, u zotuan të veprojnë në fusha si zhvillimi dhe zbatimi legjislacionit që lidhet me faktorët e riskut si kufizimin e shpejtësisë, pakësimin e dhënies së makinës i dehur, shtimin e përdorimit të rripave të sigurisë, vendosjen e sigurt të fëmijëve në makina dhe vendosjen e helmetave të motoçiklistët.

Elbasan: Aksidentet, një i vdekur, katër të plagosur
ELBASAN – Dy aksidente me pasojë vdekjen e një shtetasi dhe plagosjen e katër të tjerëve kanë ndodhur brenda një harku kohor prej një ore në rrugët nacionale të qarkut të Elbasanit. Aksidenti i parë ka ndodhur në fshatin Rovje të komunës Kukur në Gramsh, ku një mjet tip kamion, i cili drejtohej nga shtetasi Ferat Rika, ka dalë nga rruga ku ka gjetur vdekjen në vend njëri nga pasagjerët e tij, Firi Rika, si edhe janë aksidentuar shtetasit Shkëlzen Henko dhe drejtuesi. Një tjetër aksident ndodhi në kthesat e fshatit Fikas, me plagosjen e dy shtetasve. Një “Benz” me targë KR 8438 A, i cili drejtohej nga 31-vjeçarja nga Tirana Z. Zaço u përplas me një tjetër veturë, në timonin e së cilës ndodhej 37-vjeçari G. Markja. Mësohet se tre policët e aksidentuar në përplasjen e së hënës mbrëma janë transportuar për në Spitalin Ushtarak për mjekim më të specializuar.           m.s

Kodi Rrugor: Sot, seanca me grupet e interesit
Komisioni i Ligjeve do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme të diskutojë amendamentet e paraqitura nga qeveria për ndryshimin e Kodit Rrugor. Mbledhja e djeshme ku po shqyrtohej ky ligj u ndërpre për shkak se në orën 13:00 deputetët e opozitës duhet të ishin të pranishëm në mbledhjen e Grupit Parlamentar. Gjatë ditës së sotme, pasi të jenë përfunduar seancat dëgjimore me institucionet e Drejtësisë për buxhetin, janë thirrur për të diskutuar edhe grupet e interesit. Në ditët e fundit, qëkur Partia Demokratike dhe Partia Socialiste vendosën të rishqyrtonin ligjet që kërkojnë 3/5 e votave, në Komisionin e Ligjeve janë miratuar edhe dy nisma të tjera për ndryshimin e Kodit Rrugor dhe që kanë të bëjnë me vendosjen e tahografit në mjetet e tonazhit të rëndë dhe licencimin e autoshkollave. Sipas marrëveshjes mes dy partive, Kodi Rrugor do të miratohet javën e ardhshme në Parlament. ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura