Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton, uron popullin shqiptar për Ditën e Pavarësisë.
“Qeveri transparente që jep llogari e institucione të forta”
Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton, në emër të Presidentit Obama dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, përmes një mesazhi urimi për popullin shqiptar, uron për festën e pavarësisë. Sipas një njoftimi për shtyp të publikuar dje nga Ambasada Amerikane në Tiranë, në mesazhin e saj, sekretarja e Shtetit, Klinton, vlerëson se “shqiptarët duhet të shohin tek SHBA një partner mik, pasi dy vendet tona bashkëndajnë një histori të gjatë miqësie dhe bashkëpunimi”. “Sot po e forcojmë këtë partneritet, ndërkohë që punojmë krah për krah në NATO dhe nxisim stabilitetin në rajon dhe kudo në botë. Vazhdojmë të mbështesim integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe nxisim udhëheqjen politike të Shqipërisë që të punojë së bashku për t’u siguruar që vendi të ecë përpara”, thuhet në mesazhin e sekretares së Shtetit. Por, në mesazhin e saj, zyrtarja e lartë e shtetit amerikan jep dhe këshilla se si duhet të jenë institucionet shqiptare. “Populli shqiptar do një qeveri transparente, udhëheqje që jep llogari dhe institucione të forta demokratike që do të ndihmojnë për të ndërtuar një të ardhme të begatë dhe të sigurt”, thuhet në mesazhin e sekretares së Shtetit. Klinton siguron se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë vendosmërisht me popullin e Shqipërisë teksa punojmë së bashku për t’i arritur këto synime. “Ndërkohë që festoni këtë ditë të veçantë, duhet të dini që Shtetet e Bashkuara janë një partner dhe një mik. I uroj të gjithë popullit të Shqipërisë më të mirat dhe pres me kënaqësi të thellojmë partneritetin tonë vitet që do të vijnë”, përfundon mesazhi i sekretares së Shtetit, Hilari Klinton. Pak ditë më parë, kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, mori një mesazh urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, me rastin e Ditës së Pavarësisë, në të cilin shkruhet: “Në këtë vit të njëzetë të rivendosjes së marrëdhënieve dypalëshe diplomatike, ne festojmë miqësinë e fortë mes dy popujve tanë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë në Afganistan. Ne e kemi ruajtur përkushtimin tonë të përbashkët e të palëkundur për sigurinë dhe begatinë e Ballkanit”, thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit amerikan.
Prishtina
Festa e flamurit do ta veshë kuqezi Prishtinën dhe mbarë Kosovën. Edhe pse qeveria kosovare e ka shpallur ditë pushimi 28 Nëntorin, në fakt janë komuna e Prishtinës, lëvizja “Vetëvendosje”, por dhe Aleanca Kuqezi nga Shqipëria ata që do t’i japin jetë festës në Kosovë. Sheshi “Nënë Tereza” do të ndriçohet enkas nga komuna për këtë ditë, ndërsa përgjatë tij do të zhvillohen një sërë aktivitetesh. Komuna përkujdeset për aktivitetet kulturore, një koncert për fëmijët në orën 13:00 në Pallatin e Rinisë dhe në mbrëmje një koncert festiv në orën 20:00 në sheshin “Nëna Tereza”.
Tirana
Me rastin e 99-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, më datë 28 Nëntor, Bashkia e Tiranës do të organizojë një sërë aktivitetesh festive e kulturore. Shfaqje të ndryshme, kënd librash, lojëra dhe argëtime si për fëmijë e të rritur janë parashikuar gjatë gjithë kësaj dite të veçantë si dhe një koncert i madh për mbyllje në sheshin “Nënë Tereza”. Dita festive do të nisë me ceremoninë te Varrezat e Dëshmorëve në orën 10:00 e do të vijojë më pas me panair libri, shfaqje cirku dhe teatri për fëmijët në terren, konkurs pikture dhe do të përfundojë me një koncert të madh për të rinjtë.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











