Kirurgu Dalip Çela, i arrestuar të mërkurën bashkë me mjekun reanimator Nuri Qyra, ka reaguar dje në sallën e gjyqit, ku në prani dhe të medias, ka dhënë dëshminë e tij mbi momentin e fundit të volejbollistit 24-vjeçar të Teutës pak orë pas plagosjes nga grabitësit mbrëmjen e 13 shtatorit. “Mbaj mend se ishte një ditë shumë e lodhshme. Rreth orës tetë kam marrë turnin dhe dita ka qenë shumë e ngarkuar, pasi në urgjencë kishte ardhur një numër i madh pacientësh. Atë ditë unë kam bërë disa operacione. Pacientin e fundit e kam operuar rreth orës 22:00 dhe pasi përfundova, zbrita në dhomën ku qëndrojnë mjekët. Rreth orës 01:30, në urgjencë mbërriti i plagosur me katër plagë të shkaktuara me mjete prerëse shtetasi Juxhin Guza. E morëm edhe e futëm menjëherë në sallën e kirurgjisë. Fillimisht i lamë plagët, të cilat ishin të mbuluara nga gjaku. Më pas nisëm t’i mbyllnim ato. I mbyllëm të gjitha plagët dhe konstatuam se në asnjërën prej tyre nuk kishte rrjedhje gjaku. Pasi pashë se gjithçka ishte në rregull, zbrita sërish poshtë në dhomë”, dëshmoi dje mjeku kirurg. Ai ka treguar se rreth orës 06:00, në dhomë kishte hyrë infermierja për të marrë gjak, pasi gjendja e djalit ishte përkeqësuar. “Shkova menjëherë në dhomën në të cilën ishte vendosur dhe konstatova se me të vërtetë gjendja e pacientit sa vinte dhe po rëndohej. Vendosëm ta dërgonim për në Tiranë, por na thanë që ta mbanim edhe disa orë, pasi në Durrës do të vinte një mjek i specializuar për raste të tilla. E futëm sërish pacientin në sallën e operacionit dhe ia hapëm plagën. Aty vumë re se pacientit i ishte prerë arteria femorale. Në atë moment mbërriti në spital mjeku nga Tirana dhe nisëm të bënim operacionin. Operacioni zgjati shumë, pasi edhe vetë rasti ishte i rëndë. Vumë re se arteria femorale kishte bërë një tërheqje prej 8 cm dhe e patëm shumë të vështirë për ta vendosur sërish në vend, pasi trupi i djalit ishte shumë muskuloz dhe na e vështirësonte shumë punën për të bashkuar arterien femorale. Pasi e bashkuam, e qepëm arterien dhe mbyllëm plagën. Shkova në shtëpi për t’u çlodhur. Pas disa orësh më morën në telefon dhe më thanë se pacienti kishte ndërruar jetë”. Pavarësisht dëshmisë dhe avokatëve që kërkuan për mjekët hetimin në gjendje të lirë, Gjykata e Durrësit la në fuqi vendimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj dy mjekëve.
Nëndrejtori i spitalit: Rasti i Guzës, i vështirë
“Nuk është normale që mjekët të arrestoheshin, ata duhet të ndiqeshin në gjendje të lirë ose të merrej një masë ndëshkuese, qoftë dhe pezullimi deri në përfundimin e procedurave”. Kështu u shpreh dje nëndrejtori i spitalit të Durrësit, Shaban Dedej, për dy vartësit e tij. “Akuza ndaj tyre mbetet për t’u vërtetuar, por nuk mund t’i lësh në burg pa afat. Prerja e arteries femorale është mjaft e rrezikshme, pasi për vetëm disa minuta, nëse ajo është e hapur, pacienti mund të humbasë mbi tri litra gjak. Rasti ka qenë shumë i vështirë”, u shpreh Dedej.











