
BULQIZE – Ikën kreu i këshillit sindikal të minatorëve të Bulqizës, Dilaver Përkoxha. Burime nga mbledhja e djeshme, ku u kryen votimet shprehen se në të morën pjesë 23 minatorë, përfaqësues të niveleve dhe reparteve të ndryshme të minierës së Bulqizës. Pas votimit, në prani të presidentit të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë dhe kreut të Sindikatave të Punonjësve të Industrisë, kryetar i këtij këshilli është zgjedhur Kujtim Alliu, inxhinier makshedër për minierat, nënkryetar, ish-kryetari i komisionit të grevës së minatorëve, Luan Nika dhe sekretar, ish-kryetari i protestave të minatorëve, Baki Bajraktari. Në një reagim për mediat vetëm pak orë pas zgjedhjeve të reja, Përkoxha mendon se largimi i tij është i padrejtë dhe se ky ka qenë një plan i parapërgatitur. “Unë kam drejtuar këshillin sindikal të minatorëve në momente mjaft të vështira. Jam treguar shumë korrekt me të gjithë minatorët dhe kurrë nuk kam abuzuar me votën e 700 minatorëve të Bulqizës. Shumë thashetheme janë përhapur për personin tim nga individë të ndryshëm, por mendoj se kam përballuar vështirësi të shumta. Më larguan 23 minatorë nga drejtimi i sindikatës së minatorëve, por unë do të isha dakord nëse do të votonin të gjithë minatorët dhe jo një grup i përpunuar”, deklaroi Përkoxha, duke shprehur rezervat e tij për largimin nga detyra që mbante. Ndërkaq, presidenti i Sindikatës së Punonjësve të Industrisë, Taf Koleci, tha për “Panorama” se gjithçka është kryer brenda të gjitha normave të përcaktuara. “Prej dy vitesh, lëvizja sindikaliste nuk po ecte me hapat e dëshiruar. Me qëllim rifreskimin e saj dhe për shkak të zgjedhjeve të reja në të gjitha strukturat sindikale në vend, këshilli sindikal votoi dje për drejtuesit e rinj. Askush nuk mohon punën dhe përkushtimin e ish-kreut të sindikatës së minatorëve, Dilaver Përkoxha, por mbi 90 për qind e këshillit sindikal votoi për rinovimin e stafit drejtues të këshillit sindikal”. h.p
Përkoxha, në krye të protestave
Prej gjashtë vitesh, detyrën e kryetarit të këshillit sindikal të minatorëve e mbante Dilaver Përkoxha, një figurë kjo e njohur e lëvizjes sindikaliste në të gjithë vendin. Ai është parë në krye të protestave, grevave të urisë dhe tubimeve në Bulqizë e Tiranë. Madje, shqiptarët e kanë parë Përkoxhën në media teksa përleshej me policinë, duke kërkuar të drejtat e minatorëve të Bulqizës.











