Këshilli mbikqyrës: Emrat për Bankën, PS propozon Ermelinda Meksin

Nov 1, 2011 | 10:01

Komisioni i Ekonomisë

Miratohen me votat e PD tre emrat për Këshillin Drejtues

Këshilli i Bankës së Shqipërisë, opozita sulmon Fullanin
Debati i plotë me guvernatorin. PS: OK dy kandidatëve të qeverisë, por nuk voton

Kanë kaluar dje në Komisionin e Ekonomisë tri kandidaturat e dërguara nga qeveria, një për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe dy për anëtarë të Këshillit të Mbikëqyrjes. Kandidaturat janë kaluar vetëm me votat e maxhorancës, ndërkohë që gjatë diskutimit ka pasur edhe akuza nga ana e opozitës, sidomos sa i përket kandidaturës së propozuar për guvernator Ardian Fullani, i cili sapo i ka dhënë fund një mandati 7-vjeçar në po këtë institucion. Nga ana e opozitës, përmes deputetit Erjon Braçe, ndaj Fullanit janë hedhur akuza të forta si i ndikuar politikisht dhe për përfshirje klienteliste dhe korruptive në aferën e blerjes së hotel “Dajtit” apo dhe në raste të tjera që lidhen me favorizimet në tregjet e bonove të thesarit. Por Fullani ka reaguar menjëherë duke u shprehur se ka qenë një nga guvernatorët më të pavarur politikisht dhe se prej 20 vitesh nuk ka pasur asnjë implikim në politikë. Ndërkaq, në Komision janë diskutuar edhe kandidatura e Elisabeta Gjonit për anëtare e Këshillit të Mbikëqyrjes. Aktualisht Gjoni mban pozicionin e kreut të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Kjo ishte dhe e vetmja kandidaturë që duket se u vlerësua pozitivisht nga opozita. Deputetja Mimi Kodheli shprehu mbështetjen e saj pro Gjonit. Ndërkohë që edhe nga maxhoranca, përkrahja për kandidaturën e Gjonit është shprehur edhe nga deputeti Sybi Hida. Por nuk është gjetur i njëjti miratim për kandidaturën tjetër të propozuar nga qeveria për Këshillin e Mbikëqyrjes, atë të Petraq Milos. Sipas Malajt, fakti që Milo ka mbajtur pozicionin e këshilltarit pranë Kryeministrit krijon në pamje të parë një opinion për njëanshmëri politike. Gjithsesi, Malaj ka theksuar se i mbetet në dorë kandidatit për të vërtetuar të kundërtën. Kandidaturat nuk morën votat e opozitës, pasi kjo e fundit u shpreh se votimi duhet të ishte i fshehtë dhe të bëhej në sallën e Parlamentit.

Debati ne komisionin e ekonomisë
Arben Ahmetaj: Një gjykim i juaji personal: si e vlerësoni nivelin 60 për qind të borxhit publik, që për mua është një nivel alarmant?
Ardian Fullani: Unë mendoj që gjatë dy viteve të fundit është bërë punë e kujdesshme për uljen e shpenzimeve dhe mbajtjen nën kontroll të borxhit dhe deficitit, por ne gjithmonë jemi të mendimit që ky është një kujdes i shtuar që duhet pasur në çdo kohë parasysh. Niveli 60 për qind është nivel i aprovuar nga Parlamenti. Ajo që është kryefjalë sot në botë, është mbajtja nën kontroll e balancave fiskale, dhe kjo mendoj se dhe në kushtet e Shqipërisë është një këshillë mjaft e mirë, është një gur themeli për të pasur nesër një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë. Përpjekjet duhen bërë gjithmonë për ta mbajtur në nivel dhe për ta ulur borxhin. Mos harrojmë që gjithë treguesit e vlerësimit të një vendi prioritet u japin çështjeve të mbajtjes nën kontroll të borxhit.
Mimi Kodheli: Çfarë masash do të merrni ju në rast të një rizgjedhjeje lidhur me kreditë e këqija që në dijeninë time së fundi kanë arritur 18-20 për qind? Nga 5 miliardë lekë që është portofoli i kredive, mjë miliard janë kredi të këqija. Një nivel i lartë ky.
Ardian Fullani: Aktualisht kemi të bëjmë me një shifër prej 18 përqindësh. Duhet të jemi koshientë që shifra e kredive të këqija është rritur si pasojë e rritjes së kreditimit dhe të efekteve të krizës. Në vitin 2008 kemi pasur 6.4 për qind kredi me probleme. Është një fenomen mbarëbotëror. Ajo që e dallon Shqipërinë nga vendet e tjera është që nuk e zhvesh efektin e kredive të këqija me kolateralet dhe njëkohësisht vendet e tjera të rajonit apo më gjerë kanë ndjekur politika të ngrirjeve, ristrukturimeve dhe faljeve, gjë që Shqipëria nuk e ka bërë, dhe unë mendoj që kjo është rruga më drejtë që ne të vlerësojmë nivelin e kredive të këqija dhe njëkohësisht të vëmë bankat, sistemin bankar, në pozicion të përgjegjshëm për zgjidhjen e problemit të kredive të këqija.
Edmond Spaho: Mund të na bëni një përshkrim të ecurisë së ekonomisë së vendit në 2008-2011-n dhe ato që keni konsultuar me institucione të tjera të huaja, si e gjykojnë?
Ardian Fullani: Mendoj që në krahasim me ekonomitë  e rajonit, por edhe më gjerë, ekonomia shqiptare i bëri ballë me sukses krizës, por gëzon sot të gjitha kushtet që të sigurojë në të ardhmen rritje ekonomike të qëndrueshme. E kam thënë dhe e përsëris. Nuk do të jetë e lehtë në kushtet e një krize globale, e një situate akoma të paqartë, ku dy vende të rëndësishme si Greqia, Italia dhe vende të tjera të eurozonës janë probleme që ne të sigurojmë rritje ekonomike 6 për qind. Rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë e moderuar, por e rëndësishme është që brenda situatës së krizës Shqipëria jo vetëm realizoi rritje ekonomike, por njëkohësisht vazhdoi dhe reformat strukturore. Një vlerësim i imi personal mbi politikën shqiptare gjatë 20 viteve të fundit ka qenë që në krahasim me shumë ekonomi të tjera të rajonit, por edhe evropiane, ka qenë e vendosur për të bërë ndryshime dhe reforma strukturore që kanë çuar në privatizim të ekonomisë për ta bërë sa më të konkurrueshme dhe ka ulur kostot e tranzicionit.
Sherefedin Shehu: Cilat do të jenë prioritetet e puëns suaj nëse do të rizgjidheni?
Ardian Fullani: Nëse unë do të bëj një rishikim të figurës sime gjatë 7 viteve të shkuara, do ta identifikoj atë si një guvernator partizan i mbajtjes nën kontroll të inflacionit, borxhit nën kontroll, deficit i ulët, një kurs këmbimi fleksibël.
Pas pyetje-përgjigjeve
Erjon Braçe: Zoti Fullani, më lejoni t’ju falënderoj për modestinë me të cilën u paraqitët para këtij komisioni, veçanërisht kur vetëvlerësuat punën tuaj në mandatin 7-vjeçar që keni konsumuar tashmë. Duke thënë këtë, më lejoni që të shpreh një vlerësim politik në radhë të parë lidhur me kandidaturën tuaj, të cilën e gjykoj se: nuk plotëson kriterin e pavarësisë politike në planin individual. Ju jeni fare i qartë më shumë se sa  kushdo në këtë komision, se nominimi juaj s’është i domosdoshëm për të ndikuar dhe ndalur Drejtësinë të japë drejtësi për aferën publike më korruptive.
Edmond Spaho dhe Flamur Noka: Të ndalemi në kuadër të rendit të ditës. Mos vazhdojmë. Ju lutem, mos flasim si në konferenca shtypi, por të mbetemi në atë që është caktuar.
Erjon Braçe: Të gjithë bashkë, për rreth një orë dëgjuam dhe vlerësime politike dhe vlerësime teknike në këtë sallë.
Edmond Spaho: Jo fluturime konspirative.
Erjon Braçe: Pra vlerësimi politik që po bëja për aferën korruptive më publike në historinë e qeverive shqiptare. Pak më parë ju ndoqa me vëmendje kur vlerësuat veten si guvernatori i inflacionit të ulët, i borxhit të ulët, i deficitit nën kontroll dhe kursit fleksibël. Më lejoni që duke vlerësuar modestish mandatin tuaj 7-vjeçar, të them se kandidatura juaj nuk plotëson kriterin e pavarësisë politike edhe në kuadrin institucional, pra drejtimin i Bankës së Shqipërisë. Ju, ndryshe nga çdo kandidat tjetër i paraqitur përmes akteve të qeverisë apo dhe atyre të paralajmëruar në Kuvend, e keni të provuar në shtatë vite vartësinë tuaj politike në shtatë vite nga qeveria, kjo me pasoja të rënda mbi pavarësinë kushtetuese të Bankës së Shqipërisë. Së pari, në mosparashikimin e krizës ekonomike që po e vuan vendi akoma dhe sot, veçanërisht efektet e saj të dalluara lehtësisht në vitet 2009-2010. Së dyti, në mosmarrjen e masave ndaj rëndimit të efekteve të kësaj krize për shkak të harbimit fiskal të qeverisë për qëllime elektorale veçmas gjatë vitit 2009. Së treti, në mospërmbushjen e detyrimit kushtetues të ruajtjes dhe mbajtjes nën kontroll të kufirit të deficitit të përcaktuar me ligj dhe në angazhimin total të financimit të këtij deficiti përtej çdo limiti të parashikuar me ligj kur arriti në mbi 7 për qind në vitin 2009. Në tri raste kjo u provua qartësisht kur në 2009-n, dhe këtë e keni pohuar vetë ju dhe u injektuat bankave para, dhe lejuat që me ato para bankat të blinin borxhin elektoral të qeverisë, kur kredituat direkt qeverinë, pavarësisht se me shifra modeste.
(Kundërshtojnë dhe e ndërpresin deputetët e maxhorancës Spaho, Shehu, Noka).
Erjon Braçe: Ju pranuat të dëgjonit për më se një orë vetëlavdërimet për firmat e hedhura mbi lekun e shqiptarit, që është më i forti në rajon. Tani ju lutem, ju keni këtë lloj shije, unë kam këtë shijen tjetër. Duke e vazhduar aty ku e lashë. Së treti, për të kredituar në mënyrë të drejtpërdrejtë po prapë në nevojë për para me blerjen skandaloze të hotel “Dajtit”. Një tjetër aspekt që e bën kandidaturën tuaj të papranueshme është natyra e saj klienteliste, e lidhur ngushtë me favore të papranueshme ndaj operatorëve të mëdhenj në treg. Krijimi i kushteve për përfitime abuzive veçmas në tregun e bonove të thesarit deri në përcaktimin e normës së interesit në treg. Në këtë mënyrë, duke çuar gjithmonë në ngritje koston e borxhit për buxhetin në një treg të dominuar nga një bankë.
Edmond Spaho: Ju lutem, në mënyrë më të përmbledhur, se do flasim dhe ne të tjerët.
Erjon Braçe: Për shkak të nominimit tuaj kam qenë detyruar të shikoj me vëmendje aktet e Këshillit të Mbikëqyrjes që ju keni drejtuar për një periudhë gati 7-vjeçare. Zoti Fullani, më vjen keq që në ato akte, të paktën atyre të publikuara apo në gjysmën e vendimeve, janë të lidhura me çështje administrative të bankës apo riorganizime strukturore brenda saj, apo tenderime, siç është edhe vendimi për blerjen e hotel “Dajtit”. Këtu kam dosjen e plotë për dokumentin nga qeveria, nga Ministria e Financave dhe nga Banka e Shqipërisë. Shoh që kjo jo vetëm që s’e ka ndihmuar BSH-në, por nuk ka ndihmuar as ekonominë e vendit të vet. Hotel “Dajti” është në zemër të Tiranës dhe ka mbetur i tillë thjesht dhe vetëm ka marrë dhe rolin e magazinës për letrat e Bankës së Shqipërisë së fundi. Të gjitha vendimet janë firmosur brenda një dite, ndërkohë që të gjitha kanë ardhur pas vendimit të qeverisë për ta shitur hotel “Dajtin”. Dhe, më e bukura është që pasi qeveria nxjerr në shitje këtë hotel, ju mundoheni t’u hidhni hi syve gjithë shqiptarëve për nja dy vendime që keni firmosur këtu. Ju thjesht keni ndihmuar qeverinë me para. Për gjithë sa thashë, për ne kandidatura juaj është e papranueshme.
Ardian Fullani: Më vjen keq që në vitin 2011, në këtë tryezë ku është munguar prezenca për katër vite në raportimet e Bankës së Shqipërisë dhe vihet sot me një deklarim gazetaresk, jopolitik, të pavërtetë, të pavërtetë në gjithë elementet e tij. Në gjithë diskutimin që dëgjova, ju betohem, e garantoj me emrin tim dhe pozicionimin, nuk ka asnjë të vërtetë në mënyrën e shprehjes dhe të analizës së bërë deri tani. Përkundrazi, unë jam i vetmi guvernator i propozuar jashtë politikës. Në 20 vitet e fundit nuk kam pasur asnjë lidhje me politikën. E kam kthyer Bankën e Shqipërisë në institucion të pavarur, transparent, kredibël dhe këtë e vërteton më së miri tregu shqiptar dhe opinioni mbarëpublik. Treguesit e Bankës së Shqipërisë, ashtu si ju dëshironi të thoni, vlerësimet e FMN-së, duhet të dini që unë jam me detyrë dhe kryetar i bordit në lidhje me FMN-në, kështu që këto probleme i ndjek dita-ditës dhe në gjithë raportet e FMN-së, me gojë dhe me shkrim, institucioni i Bankës së Shqipërisë është institucioni më i vlerësuar, po njëkohësisht nga BB dhe nga institucione të tjera ndërkombëtare dhe raportet e KE. Deklaroj se Banka e Shqipërisë nuk ka financuar deficitin buxhetor, përkundrazi, BSH, si e vetmja ndër bankat e rajonit dhe më gjerë, ka drejtuar tashmë prej vitesh qeverinë drejt tregut, d.m.th. të gjitha transaksionet e qeverisë kryhen në treg edhe këmbimet valutore në këtë mënyrë, nëse do t’u referohemi shifrave, BSH ka luajtur rolin e ndërmjetësit. Sa u përket aferave korruptive, do më vinte shumë turp t’i kisha dëgjuar ndonjëherë. Unë vij nga një familje që nuk i ka dëgjuar ndonjëherë këto fjalë. Jam një djalë që i kam dalë dhe dal ballëhapur çdo ditë në treg, bëj pazar, bëj sport, takoj miq, shokë, nuk përdor badigardë, gëzoj një autoritet dhe respekt të ndërsjellë në publik dhe, sinqerisht, kjo periudhë e rizgjedhjes më ka bërë vërtet krenar sepse takoj dhe bisedoj njerëz që më urojnë më të mirën, pa e ditur nëse do të bëhem apo jo guvernator. Por, është shumë e turpshme të dëgjoj që flitet për afera korruptive, për gjëra të  sajuara, sepse nuk është në moralin dhe etikën e familjes sime, nuk është në besimin tim t’i dëgjoj këto. Sa i përket hotel “Dajtit”, ajo është një telenovelë e shëmtuar. Unë jam krenar që BSH e bleu këtë objekt, sepse ai do të plotësojë kushtet që Shqipëria të hyjë në BE, sepse Banka Qendrore duhet të ketë asete fikse. Besoj që dëshira e mirë të rikthejë me një falje të madhe gjithë deklarimet që bëtë sot.
Edmond Spaho, Braçes që kërkon fjalën: Jo, zoti Braçe, nuk ta jap fjalën. Fjalën ia kam dhënë zotit Noka.
Flamur Noka: Ne jemi në komision ekonomie, komision i rëndësishëm dhe serioz. Ajo që është e papranueshme është brutaliteti i përdorur këtu dhe dëshira për të bërë një pretencë përballë guvernatorit të Bankës së Shqipërisë vetëm e vetëm me arsyen se guvernatori i Bankës ka qenë bashkë me stafin e tij dhe ekipin mbikëqyrës së bankës pjesë serioze. Për arsye se guvernatori nuk e ka shndërruar Bankën e Shqipërisë në një frëngji bunkeri ku nga mëngjesi në dakë të gjuante jo vetëm qeverinë, por nga frëngjia të gjuante ekonominë për të plotësuar dëshirën e kahershme të kryetarit tuaj për të rrënuar ekonominë e vendit tonë.
Edmond Spaho: Vazhdojmë me kandidaturën e dytë të propozuar nga Këshilli i Ministrave, zonjën Elisabeta Gjoni. Një përmbledhje të anës suaj profesionale dhe të asaj që synoni të bëni në Këshillin e Mbikëqyrjes.
(Elisabeta Gjini bën një përshkrim të shkurtër të CV-së së saj).
Mimi Kodheli: Desha vetëm të bëj një koment të shkurtër që pa dyshim ka ngarkesat e saj subjektive për shkak, ndoshta, të njohjes 30-vjeçare që kam me zonjën Gjoni. Ajo gëzon tek unë dhe tek shumë si unë që kanë punuar me atë apo kanë qenë studentë të saj. Ndaj nuk më mbetet gjë tjetër, t’i uroj suksese si kandidaturë dhe në punën e saj, nëse do të kalojë në procedurat e caktuara ligjore.
Sybi Hida: Më shumë sesa një pyetje, kisha një sugjerim. Ju uroj të keni votën e të gjithëve, por sugjerimi lidhet me atë që mund të bëni nëse do të miratoheni për te Këshilli i Mbikëqyrjes. Kam vënë re nga një vrojtim që tarifat e larta ekzistojnë për kostot e transaksionit për bankat në vendin tonë, sidomos dhe për kartat e kreditit dhe debitit. Do të doja që kjo të ishte në vrojtimin e  Këshillit të Mbikëqyrjes së ardhshëm të Bankës së Shqipërisë.
Edmond Spaho: Vazhdojmë me kandidaturën e tretë të zotit Petraq Milo. Një përmbledhje të shkurtër të anës suaj profesionale.
(Petraq Milo bën paraqitjen e CV-së së tij para deputetëve).
Arben Malaj: Kam një hezitim për zotin Milo. Nga përvoja për konfigurimin e bordeve të Bankës Qendrore besoj që statusi i tij si këshilltar i Kryeministrit krijon një opinion të parë, kështu që mbetet sfida e tij sepse përgjithësisht nuk është pëlqyer që në Bordin e Bankës të emërohen nga qeveria apo stafet e tyre.
NERTILA MAHO

PS, Meksi në Këshillin e Bankës
Anëtarja e Kryesisë së PS, gati të lëshojë mandatin

Ermelinda Meksi

Tri partitë kryesore parlamentare propozuan dje kandidaturat e tyre për në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Partia Demokratike ka vendosur në këtë mënyrë të ndajë dhe me grupet e tjera parlamentare këto kandidatura, të cilat kërkojnë shumicë të thjeshtë. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, përfaqësuesit e PD-së kanë propozuar që PS dhe LSI të propozojnë nga një anëtar për në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist, deputetët miratuan propozimin e kreut të grupit, Ruçit, për kandidaturën e anëtares së kryesisë socialiste, Ermelinda Meksi. Burime pranë Partisë Demokratike pohuan dje se kandidaturën e Meksit e shohin me rezerva, për shkak të ngarkesës së saj politike, si anëtare e kryesisë socialiste. Madje, ata shprehen se në paktin e kreut socialist Edi Rama, anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës apo të drejtuesve të institucioneve kushtetuese duhet të zgjidhen persona të cilët nuk kanë milituar më parë në partitë politike. Madje, ata do të kërkojmë sipas të njëjtave burime që Meksi të japë më parë dorëheqjen nga mandati i deputetit para se kandidatura e saj të shqyrtohet në komisionin e ekonomisë. Neni 46 i ligjit për Bankën e Shqipërisë shprehet se “Funksioni i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës është i papajtueshëm me mandatin e deputetit”.
Nga Partia Demokratike është artikuluar prej ditësh emri i rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ish-dekan i Fakultetit Ekonomik të Tiranës. Ndërsa LSI, nga ana e saj ka propozuar drejtoreshën e degës së bankës “Credins” në Durrës, Ela Golemi. Konsensusi dhe bashkëpunimi për kandidaturat për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë është kërkuar dhe nga kryetari i PS-së, Edi Rama, në paktin e tij me 10 pika për integrimin e vendit. “Të adresojmë me një proces transparent zgjedhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Të propozojmë tre nga 9 anëtarët e rinj të Këshillit dhe të votojmë bashkërisht guvernatorin”, thuhet në një nga pikat e këtij pakti. Ftesa e PD-së për t’i dhënë PS dhe LSI nga një anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës, pritet të pasohet nga konsensusi që PS duhet të japë për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Nënkryetari i Parlamentit, demokrati Ardian Turku, tha dje se maxhoranca kërkoi që dhe grupet e tjera parlamentare të kenë propozimet e tyre për në Këshillin Mbikëqyrës. “Janë tri vende për t’u zëvendësuar. U gjykua që të ndahen si propozime, ose t’i merret edhe mendimi për një kandidaturë që ata do të dëshironin, një për LSI-në dhe një nga PD-ja. Pra, tre kandidatura nga tre grupet e mëdha parlamentare të Parlamentit, ndryshe nga ç’parashikon rregullorja, që mund të jetë edhe vetëm nga maxhoranca. Dikur, në 2005-n, nga 9 anëtarë të bordit të BSH, me zor është rënë dakord nga ana e maxhorancës që një t’i lihet opozitës, që në atë kohë ishte në opozitë PD”, u shpreh dje Ardian Turku.

Dhori Kule
Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ish-dekan i Fakultetit të Ekonomisë, është propozuar nga Grupi Parlamentar i PD-së për anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ka botuar mjaft artikuj shkencorë, të cilët janë botuar brenda dhe jashtë vendit. Ai është bashkautor i disa teksteve, si “Hyrje në Ekonomi”, “Ekonomi e Zbatuar” etj.

Ermelinda Meksi
Deputetja Ermelinda Meksi, ish-ministre e Integrimit dhe ish- ministre e Ekonomisë është propozuar nga PS-ja si kandidate e kësaj force për në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Deputete e qarkut të Fierit, ajo do të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë kandidatit të listës së PS-së në zgjedhjet e 2009.

Ela Golemi
Drejtoresha rajonale e bankës “Credins”, Ela Golemi është propozuar nga Grupi Parlamentar i LSI-së për në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Edhe LSI bëhet pjesë e propozimeve për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës edhe si pjesë e maxhorancës parlamentare.

Djali i Xhindit në Parlament
Djali i ish-deputetit të qarkut të Fierit, Fatmir Xhindi, i vrarë një muaj para zgjedhjeve parlamentare të 2009, do të ulet në Kuvendin e Shqipërisë. Anduel Xhindi është kandidati i radhës i listës së Partisë Socialiste për deputetët në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Dorëheqja e deputetes Ermelinda Meksi krijon vendin bosh për t’u zënë nga Andueli. Djali i ish- deputetit të vrarë, ishte në qendër të fushatës së PS në qarkun e Fierit, ku PS mori 9 deputetë.

Konferenca e Kryetarëve vendos rishikimin e ligjeve me 3/5
PD pranon kushtin e PS, kodet kthehen në komisione

Maxhoranca pranon një nga kushtet e opozitës për të diskutuar edhe njëherë në komisionet parlamentare ligjet që kërkojnë 3/5 e votave. Në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, propozoi që ligjet që kërkojnë 3/5 e votave të kthehen për herë të dytë në komisione parlamentare, pas rikthimit që i është bërë një herë në komisione gjatë muajit shtator. “Kjo si një ofertë tjetër për t’i dhënë mundësi përsëri opozitës të sjellë propozime për këto ligje, për të çuar kështu përpara procesin e zbatimit të 12 rekomandimeve të BE-së”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të publikuar në faqen zyrtare. “Ligjet me 3/5 kanë qenë gjithnjë në axhendën e Parlamentit dhe unë si kryetare e Kuvendit kam gjithë vullnetin pozitiv për të bërë çdo gjë për ta çuar këtë proces përpara. Axhenda integruese është axhenda jonë parlamentare, është axhenda jonë kombëtare”, u shpreh Topalli në këtë mbledhje. Nga ana e tij, kreu i Grupit Parlemantar socialist, Gramoz Ruçi dhe nënkryetari i Parlamentit, Namik Dokle, kërkuan që në kalendarin 3-javor të punimeve, të parashikohet rishikimi i Rregullores së Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit sqaroi se rishikimi i Rregullores është tashmë i përfshirë në kalendarin e punës, i votuar më datë 13 tetor 2011 në seancë plenare. “Pas diskutimeve, Konferenca vendosi që ligjet që kërkojnë 3/5 e votave të Kuvendit të shqyrtohen për herë të dytë në komisionet përkatëse parlamentare”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura