TIRANË- Ndërkohë që në seancë u votuan me konsensus projektligjet për Kodet që kërkonin shumicë të cilësuar, kreu i grupit kuvendor të PS-së, Gramoz Ruçi ka paralajmëruar maxhorancën dhe kryeministrin Berisha të ndalë atë që ai e cilësoi ‘akt banditesk”, duke iu referuar zgjedhjes së kreut të Këshillit të Qarkut Fier, pa praninë e opozitës.
“Kreu i grupit parlamentar votoi në parim dhe tërësi pro, unë në parim votova pro, në fund votova kundër, jo se jam kundër mendimit dhe kundër vendimit të grupit, por për të bërë një sqarim politik”. Kështu e nisi fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, Gramoz Ruçi.
“Në një kohë që ne ulemi dhe nënshkruajmë një marrëveshje, nga ana tjetër maxhoranca në qarkun e Fierit në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe ligjin për pushtetin vendor, dy vendime gjykatash për të njëjtin qark, ndodh një akt banditesk duke uzurpuar Këshillin e Qarkut Fier. Opozita do i qëndrojë marrëveshjes, por nëse maxhoranca nuk ndal veprimet banditeske dhe në kundërshtim me shtetin e së drejtës, jo vetëm klima politike nuk përmirësohet, por përkeqësohet dhe faji do jetë juaj. Ne u paralajmërojmë ndaleni këtë veprimtari”- tha ai.











