KESH, si do të rritet siguria e digave

May 28, 2011 | 10:46

Projekti i sigurisë së digave, i shpallur si prioritar nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, ka gjetur mbështetjen e një sërë financuesve, mes tyre edhe Zvicra.Vetëm pak ditë më parë, drejtori i KESH-it, Engjëll Zeqo, nënshkroi së bashku me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço dhe ministrin e Punëve Publike, Sokol Olldashi, një marrëveshje me palën zvicerane, të përfaqësuar nga ambasadorja e këtij shteti, Yvana Enzler. Kontributi grant shtesë nga Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështjet Ekonomike (SECO), i përfshirë në këtë marrëveshje, ka një vlerë prej 4.3 milionë eurosh dhe i akordohet Ministrisë së Ekonomisë me orientim për zbatimin e projekteve që lidhen me KESH-in. Por, ky nuk është i vetmi garant që është dhënë nga ky shtet në funksion të rritjes së sigurisë së digave. Një tjetër kontribut është ai i grantit prej një milion eurosh, i cili u akordua me qëllim për të financuar një studim të plotë dhe të thellë të situatës aktuale të digave përkatëse në kaskadat e lumenjve Drin dhe Mat, gjendjen e zonave të ujëmbledhësve dhe bjefin e poshtëm të digave, si dhe sistemin ekzistues të monitorimit, kontrollit dhe alarmit. Në total, granti zviceran, që do të shkojë për rritjen e sigurisë së digave, kap vlerën 5.3 milionë euro dhe përqendrohet në hidrocentralet më të rëndësishme në vend, që mbajnë peshën kryesore të prodhimit të energjisë.
Tre komponentët
Granti zviceran prej 4.3 milionë eurosh do të shkojë në funksion të realizimit të tre komponentëve që lidhen me sigurinë e digave, si dhe për efikasitetin e parandalimit dhe reagimit në raste emergjencash. I pari është komponenti i monitorimit të sigurisë së digave, çka në vetvete përfshin një përditësim të vazhdueshëm të informacionit që KESH disponon lidhur me gjendjen fizike të digave. Ky informacion do të bëhet i disponueshëm përmes monitorimit të hollësishëm të ndryshimeve në trupin e digave dhe themelet e tyre, ngjarjet sizmike dhe ndryshimet në aktivitetin sizmik pranë digave, si dhe lëvizjet e mundshme të pastabilizuara të shkëmbinjve. Komponenti i dytë që do të financohet nga granti zviceran është ai lidhur me masat për parandalimin e rënies së shkëmbinjve. Kjo do të sigurojë mbrojtje për digat dhe infrastrukturën e nevojshme dhe është me rëndësi të madhe për garantimin e prodhimit të qëndrueshëm të energjisë. Ndërsa komponenti i tretë lidhet me reagimin e strukturave të KESH-it për vendimmarrjen dhe veprimin në raste emergjencash. Ky është komponenti i tretë, i cili do të zbatohet dhe lidhet me “Planet e brendshme të përgatitjes për emergjenca”. Këto plane do të zbatohen në rastet kur sistemet e monitorimit do të tregojnë rrethana anormale dhe Korporatës Elektroenergjetike do t’i duhet të marrë veprime të shpejta dhe efikase falë parashikimit të hershëm të kësaj gjendjeje në sajë të monitorimeve. Të tre komponentët e mësipërm pritet që të zbatohen deri në vitin 2014.

70 milione euro
është parashikuar ta ketë koston totale implementimi i projektit për sigurinë e digave. Një pjesë e mirë e këtyre parave do të sigurohet nga institucionet financiare ndërkombëtare si BB apo KfW dhe grante të ndryshme, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga të ardhurat e KESH

5.3 milione euro
ka dhënë Zvicra në formë grantesh përmes Sekretariatit Shtetëror të Zvicrës për Çështjet Ekonomike, në favor të projektit për rritjen e sigurisë së digave. Tre janë komponentët kryesorë ku pritet të shkojnë këto para: monitorimi i digave, planet e emergjencës dhe ruajtja nga rënia e shkëmbinjve

Financuesit

Në projektin e sigurisë së digave, nga studimet e nevojshme dhe deri tek implementimi fizik i projektit, është gjetur mbështetje nga një sërë institucionesh ndërkombëtare financiare. Në këtë program janë përfshirë projektet e investimeve të pavarura logjike që do të financohen nga Banka Botërore (BB), Kreditanstalt für Wiederaufbau (KfW), Korporata Energjetike Shqiptare (KESH) dhe Zvicra. Banka Botërore ka qenë një ndër institucionet që mbështeti ndërtimin e TEC-it të Vlorës, ndërsa KfW ka mbështetur ndërtimin e disa hidrocentraleve dhe linjave të rëndësishme të transmetimit të energjisë.

Prioritetet

Projekti për sigurinë e digave ka ndarë në disa prioritete ndërhyrjet në pjesë të ndryshme të kaskadës së Drinit. Kështu, rehabilitimi i Hidrocentralit të Komanit cilësohet si prioritet shumë i lartë dhe po kështu edhe përforcimi i kullës së tunelit të shkarkimit nr.3 në Hidrocentralin e Fierzës. Edhe konsolidimi i zonës në bjefin e poshtëm të Hidrocentralit të Komanit (pjesa e poshtme e digës dhe pellgu i krijuar), konsiderohet gjithashtu si me një prioritet shumë të lartë. Një shkallë më poshtë vlerësohet rehabilitimi i shkarkuesve në Fierzë, Koman dhe Vaun e Dejës, ndërhyrje që emërtohet si prioritet i lartë/mesatar.

Sistemi i alarmit

KESH synon që në projektin e sigurisë së digave të bëjë funksional një sistem paralajmërimi për rastet e përmbytjeve. Në detaj ky sistem përfshin sirenat e alarmit në zonat që janë potencialisht objekt i përmbytjeve: sirena me akustikë të kontrolluar me komandim në distancë, qendër kryesore alarmi të KESH-it, aparate komunikimi me telekomandë në distancë me qendrën e alarmit, një qendër të dytë alarmi në hidrocentralet e Fierzës dhe Ulzës dhe sistemet e komunikimit, ndërthurja me sistemin e alarmit të mbrojtjes civile, mjete ndihmëse shtesë komunikimi. Në raste përmbytjesh ky sistem do të përdoret me efikasitet për të reaguar në kohë dhe për të koordinuar planet e emergjencave në gjithë strukturat përgjegjëse.

Zeqo: Projekti rrit sigurinë dhe eficencën

Kreu i KESH-it, Engjëll Zeqo, gjatë një forumi për energjinë, të zhvilluar pak kohë më parë, theksoi se projekti i sigurisë së digave në total kap vlerën 70 milionë euro dhe synon rritjen e sigurisë dhe eficencës së hidrocentraleve. “Projekti në vlerë totale shkon rreth 70 milionë euro dhe garanton rritjen e sigurisë së digave në kaskadën e lumenjve Drin dhe Mat. Ky është një projekt që po implementohet. Një tjetër risi që do të zhvillojë KESH-i është edhe ngritja e një qendre monitorimi që do të mbikëqyrë në kohë reale ecurinë e të gjitha elementeve, si prodhimi, eficenca, funksionimi i punës në hidrocentrale”, tha Zeqo gjatë prezantimit të projektit në forumin e energjisë,
të zhvilluar pak kohë më parë.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura