“Kërkuam të thirret Rama dhe…” – Dosja Partizani, avokati Gjokutaj: Ka bërë thirrje që Berisha të procedohet urgjentisht! Ja kur do mbahet seanca e radhës

Jan 12, 2026 | 15:20

Është shtyrë sërish seanca gjyqësore në GJKKO për dosjen Partizani, ku ish kryeministri Sali Berisha është marrë i pandehur së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe persona të tjerë. Seanca e radhës do të mbahet më 26 janar në orën 10:00.

Në seancën e sotme, mbrojtja e kreut të PD-së kërkoi thirrjen e kryeministrit Edi Rama si dëshmitar në këtë proces sepse ka bërë thirrje që ai të procedohet urgjentisht. Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj tha pas përfundimit të seancës se kryeministri është person kyç në këtë proces, dhe se duhet të thirret të dëshmojë.

“GJKKO nëse do të japë një vendi të bazuar në ligj, përveç Ramës duhet të thirrë edhe oficerë të policisë gjyqësore, zotin Karanxha, që ka qenë aktivist i PS dhe sot është në BKH. Çështja ka profil politik. Kemi kërkuar administrimin e akteve, videove përkatëse ku zoti Rama jo vetë si kryetar bashkie por edhe si lider i partisë ka bërë thirrje që zoti Berisha të procedohet urgjentisht.”, theksoi ai.

Mbrojtja kërkoi gjithashtu thirrjen si dëshmitar të Besmir Karanxhës, të cilin Gjokutaj e përshkroi si aktivist të Partisë Socialiste.

Po ashtu avokatët kërkuan që të merret si provë edhe DVD me fjalimin e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e PS në prill 2022.

Kujtojmë që dosja për “Partizanin” kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.

Ky i fundit, është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga Berisha.

Çfare deklaroi Rama në Asamblenë e PS

“Të kërkosh më shumë nga drejtësia kur vettingu po bën 5 vjet dhe SPAK po mbush 3 vjet, nuk do të thotë të bësh presion, se përndryshe çfarë do të duhet të thoshim pastaj për deklaratat e BE e SHBA, ku është kërkuar dhe hapur nominalisht ndëshkimi i politikanëve apo gjykatëse të korruptuar, presion mbi drejtësinë? Sipas meje jo. Çfarë presioni është të kërkosh hetimin e një ish-presidenti, e një ish-kryeministri, të shpallur non grata nga SHBA më akuzat më të rënda të mundshme që lidhen drejtpërdrejtë me veprimtarinë e institucioneve të këtij vendi. Dhe ta bësh këtë thuajse një vit pasi shpallja non grata është bërë, dhe pasi Sekretari amerikan i Shtetit ka kërkuar publikisht një deklaratë se institucionet e një vendi, pra të këtij vendi duhet të bëjnë punën e tyre” – tha Rama në atë kohë.

© Panorama.al

Te lidhura