Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka depozituar një kërkesë të re në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), ku kërkon zëvendësimin e masës së arrestit në burg dhe lirimin nga qelia.
Kjo kërkesë vjen një ditë pasi Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen në ngarkim të tij, ish bashkëshortes Monika Kryemadhi, nënës së kësaj të fundit Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut.
Sipas ligjit, kërkesa do të shqyrtohet nga trupa gjykuese që shqyrton akuzat penale në themel.
Ish presidenti Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie lidhur me çështjen CEZ DIA si dhe kontratat e lidhura nga ish LSI me kompani lobuese në SHBA. Bashkë me të do të gjykohet dhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi.
Tre të pandehurit e tjerë, Pirro Xhixho, Ema Çoku e nëna e ish deputetes, Fatime Kryemadhi kanë kërkuar gjykim të shkurtuar.
Nga pesë të pandehurit, i vetmi që ndodhet në burg është ish presidenti Meta, i arrestuar në tetor të vitit 2024.












