Kërkesat e shoqatave për uljen e taksave të karburanteve, ministrja e Ekonomisë refuzon: Detyrimi është i drejtë, e kemi vendosur me qëllim pagesën për çdo litër (VIDEO)

Mar 18, 2026 | 13:54

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha sot gjatë takimit me përfaqësuesit dhe biznesmenët e hidrokarbureve dhe biznesit se do garantojnë që të mos ketë abuzime me çmimin e naftës, nëpërmjet monitorimit dhe kontrolleve të përditshme që do të bëhen në treg.

Por ajo paralajmëroi se nëse do të vëreheshin shkelje dhe abuzime, atëherë do veprohet sikurse gjatë krizës së luftës në Ukrainë, me ngritjen e Bordit të karburanteve.

E shoqëruar edhe nga kryeministri Edi Rama në këtë takim, Ibrahimaj tha se në tregjet evropiane çmimet janë rritur deri në 40%, kurse në Shqipëri ka rritje 10-15%. Ajo shpjegoi edhe arsyen pse taksa e makinave dhe karburantit është vendosur për litër dhe jo për mjete.

Ibrahimaj deklaroi se qëllimi kryesor është reduktimi i ndotjes dhe konsumi sa më pak i hidrokarbureve dhe se ato që ndotin më shumë do taksohen më shumë.

“Ky është takimi i tretë që zhvillojmë me përfaqësuesit kryesorë të hidrokarbureve dhe ata të pakicës. Rezerva është e detyrueshme në kuadër të situatës së krijuar, sepse sinjali i parë që patëm, bllokimi i Ngushticës së Hormuzit do pasohej ehe me situatën e furnizimit dhe çmimeve. Kanalet e furnizimit garantojnë mosndërprerjen e furnizimit sepse përfaqësuesit kanë kontrata afatgjata dhe nuk lidhen me Ngushticën. Por shqetësimi kryesor është situata e çmimeve në treg, jemi për të analizuar situatën e çmimeve në tërësi. Të garantojnë që nuk do ketë abuzime me çmimet, rritje të tyre dhe kryesisht tek tregtarët e pakicës. Kemi pasur një luhatje të çmimeve të bursës me 40%, por çmimet në Tiranë nuk kanë pasur rritje më të madhe se 10-15%”, tha ministrja e Ekomonisë.

Më tej Ibrahimaj shpjegoi se aktualisht nuk ka nevojë për ngritjen e Bordit të Karburanteve, sepse nuk vërehet abuzim me çmimet. Por kjo do të ndodhte në momentin e parë që grupet e kontrollit do hasnin problematika dhe abuzime.

“Për këtë jemi ulur dhe kemi diskutuar me Bordin e Transparencës së Karburanteve, i ngritur që nga periudha e luftës në Ukrainë. Nuk jemi ende në kushtet e ngritjes së atij Bordi, por nëse do hasim marzhe dhe rritje abuzive të çmimeve, do futemi edhe në atë kanal me Bordin, pasi qëllimi është mbrojtja e konsumatorit nga çmimet abuzive”, shpjegoi ministrja.

Më tej ajo tha se kontrolle dhe monitorime po bëhen edhe për produktet ushqimore dhe të shportës, për të mbrojtur konsumatorët nga abuzimet me çmimet.

“Jemi angazhuar në furnizimin ditor për produktet e shportës dhe ushqimeve kryesisht. Po monitorohen çmimet dhe nuk ka ende asnjë luhatje apo sjellje abuzive dhe spekulative e tregtarëve. Eksperienca e mëparshme ka treguar se kriza energjetike solli rritje të madhe të inflacionit në Evropë dhe vendet e rajonit, por në Shqipëri ishte më e vogël si pasojë e kontrolleve që ne i bëmë tregjeve”, shpjegoi Ibrahimaj.

Gjithashtu ajo shpjegoi edhe taksën e naftës për litër dhe jo për makinë:

“Kemi dëgjuar ditët e fundit kërkesat për çmimet dhe ndryshimin e strukturës për taksën e karburanteve. Kemi një model takse që aplikohet për litër dhe në modele të tjera është taksë që aplikohet për makina. Ne kemi vendosur parimin e taksës së litrit me qëllimin që ai që harxhon më shumë, paguan më shumë, sepse lidhet edhe me ndotjen mjedisore, pra ndotësit e mëdhenj paguajnë edhe më shumë. Makinat që harxhojnë shumë, ndotin më shumë, ndaj mendojmë se është politikë e drejtë. Në kushtet kur ka rritje eksponenciale çmimesh, individët të paguajnë më pak”.

Në fund ministra prezantoi edhe situatën e këmbimit valutor, duke shpjeguar se kriza në Lindjen e mesme nuk e ka prekur tregun shqiptar të valutës, ndërsa nuk do mungonin monitorimet në terren.

“Po analizojmë edhe efektet që ka situata në kursin e këmbimit, kryesisht për euron dhe dollarin. Dua të them që jemi në monitorim të vazhdueshëm dhe ky monitorim është ditor. Do vazhdojmë ta bëjmë në mënyrë transparente dhe në komunikim me publikun”, u shpreh Ibrahimaj.

© Panorama.al

Te lidhura