
“Do ta shohësh se çfarë do të të bëj, do të të vrasim!”. Me këto fjalë i është drejtuar shtetasi Skënder Filja prokurorit të çështjes në ngarkim të vëllait të tij, kur përfaqësuesi i akuzës po dilte nga Gjykata e Elbasanit, paraditen e 13 shtatorit të këtij viti.Vetëm pak para këtij momenti, vëllai i 39-vjeçarit Filja, autor i kërcënimit të prokurorit, ishte deklaruar fajtor nga gjykata për akuzën e “vrasjes” dhe ishte dënuar me 21 vjet burg. Sulmi i 39-vjeçarit ka mbetur vetëm te fjalët, pasi dy punonjës policie e kanë neutralizuar autorin dhe e kanë ndaluar atë para se të mbërrinte te prokurori. Pak ditë më parë, ai është paraqitur në Gjykatën e Tiranës për njohje me akuzën dhe për caktimin e masës së sigurisë. Pasi është njohur me materialin e dosjes, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. Njëkohësisht, gjykata e vlerësoi si të ligjshëm ndalimin e Skënder Filjes. Ai akuzohet për “kundërshtim të punonjësve të Policisë së Rendit Publik”, “fyerje të gjyqtarit” dhe “kanosje të gjyqtarit”.
KËRCËNIMI
Nga materialet e çështjes penale, rezulton se më datë 08.07.2011, prokurori Bledar M. në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka dhënë konkluzionet përfundimtare, duke kërkuar deklarimin fajtor të të pandehurit Fatmir Filja dhe dënimin e tij përfundimisht me 25 vjet burg. Më datë 13.09.2011, ora 08:30, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka filluar sërish gjykimi dhe, pas konkluzioneve të mbrojtjes dhe të pandehurit, Gjykata ka shpallur edhe vendimin, duke e deklaruar fajtor të pandehurin Fatmir Filja, dhe dënimin e tij përfundimisht me 21 vjet burgim. Menjëherë pas shpalljes së vendimit, qetësia në sallën e gjyqit është prishur, pasi familjarët e të pandehurit filluan të bërtisnin dhe të shanin me zë të lartë. Kur ka dalë në ambientet e jashtme të Gjykatës, pranë vendrojës, ka qenë i irrituar vëllai i të pandehurit, i cili quhej Skender Filja. Personi nën hetim, Skënder Filja, ka ardhur me vrap nga jashtë derës në drejtim të prokurorit Bledar. M., duke hyrë brenda rrethimit të brendshëm të Gjykatës, duke iu sulur atij dhe duke bërtitur me zë të lartë “Hë mo qelbësirë m… u kënaqe!”. Ai ka tentuar të kalojë policët që ishin te porta e jashtme e Gjykatës, duke dashur të shkonte te prokurori Bledar M., duke u shprehur “Do ta shohësh se çfarë do të të bëj, do të të vrasim!”, si edhe duke përdorur fjalë të tjera fyese. Personi nën hetim nuk ka arritur të shkonte deri te prokurori, pasi në moment është ndaluar nga polici i rojës P.D., si dhe një punonjës tjetër i policisë. Ndërkohë dhe familjarët e tjerë të të pandehurit Fatmir Filja, nga jashtë rrethimit të Gjykatës, janë shprehur me fjalë fyese dhe kërcënuese në drejtim të prokurorit Bledar M.
Procesi penal
Procesi gjyqësor kundër vëllait të Skënder Filjes, që solli revoltimin e tij ndaj prokurorit, kishte nisur tre vjet më parë në Gjykatën e Elbasanit. Refat Filja u deklarua i fajshëm për ngjarjen e 14 prillit 2008, po në Elbasan. Mësohet që ai akuzohej se, pas një konflikti për motive pronësie, kishte hedhur një granatë në verandën e banesës së Sh. Sallakut, baba i gjashtë fëmijëve. Nga shpërthimi i granatës u vra Sallaku dhe u plagos vajza e tij 6-vjeçare.
Armand Bajrami











