Kërcënimi i kandidatit të PS, policia: Jo me armë

May 1, 2011 | 11:57

SARANDË- Policia e Sarandës sqaroi sot rrethanat e incidentit ku ishin përfshirë fëmijët e kandidatit të “Aleancës për të ardhmen”, për Bashkinë e Sarandës, Stefan Çipa.

Sipas policisë ngjarja ka ndodhur në lagjen Nr. 4 Sarandë në bar “Jesa” gjatë transmetimit të një ndeshje futbolli ku janë përfshirë në një debat shtetasit, Adrian Papagjika, i  cili ka qënë i shoqëruar nga disa persona të tjerë, dhe shtetasi Odise Çipa, nipi i Stefan Çipës , i cili ka qënë i shoqëruar nga fëmijët e kandidatit të PS-së, J.Ç dhe M.Ç.

Nga shkëmbimi i goditjeve ndaj njëri- tjetrit, ka mbetur i demtuar Adrian Papagjika.

Përkundër denoncimit të kandidatit të PS-së, Stefan Çipa, se ai dhe fëmijët e tij janë kërcënuar me armë, policia deklaroi se nga kontrollet e ushtruara në automjetin e shtetasit Andrea Papagjika si dhe banesat e personave me të cilët ai ka qënë i shoqëruar nuk është gjetur ndonjë send i kundërligjshëm.

Policia e Shtetit po heton për zbardhjen e plotë në lidhje me shkaqet dhe motivet e kësaj ngjarjeje, ndërsa do të procedohen penalisht në gjedje të lirë Adrian Andrea Papagjika, 43 vjeç, banues në Sarandë dhe Odise Çipa, 45 vjeç, banues në Sarandë.

Gjatë ditës, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Sarandës, Stefan  Çipa  denoncoi  kërcënimin e fëmijëve të tij.

Ai tha se fëmijët e tij janë kërcënuar me armë, ndërsa shtoi se arma i është drejtuar edhe atij.

Çipa tha se kishte komunikuar me kandidatin e Partisë Demokratike për incidentin, ndërsa bëri thirrje për qetësi.

© Panorama.al

Te lidhura