Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër ndaj administratës shtetërore për ditët e shumta të pushimit gjatë fundvitit, duke e cilësuar këtë situatë si neglizhencë ndaj fermerëve, të cilët, sipas tij, punojnë pa ndërprerje 24 orë në ditë.
Në një postim në rrjetet sociale, Braçe shprehet se gjatë dy javëve të fundit të dhjetorit janë punuar vetëm pesë ditë, ndërkohë që qytetarët dhe veçanërisht fermerët kanë nevojë për shërbime dhe përfitime që u takojnë me ligj.
“Gjatë këtyre ditëve “pushim”, nga njerëz që punojnë, populli i fshatit është në punë pa pushim, kam marrë shumë mesazhe për “lekët e mbështetjes për nafte, bagëti etj”, shkruan Braçe.
Ai thekson se viti është mbyllur me 13 milionë euro mbështetje për bujqit të papaguara, ndërsa me akt normativ janë shtuar edhe 19 milionë euro të tjera, duke e çuar totalin në 32 milionë euro që ende nuk janë disbursuar për fermerët.
“Sot mësoj se e kemi mbyllur vitin me 13 milionë euro mbështetje për bujqit në punë pa paguar, ndërkohë që kemi shtuar edhe 19 milionë euro me aktin normativ. Gjithsej, 32 milionë eurove për t’u paguar bujqve”, shkruan ai, ndërsa thekson se Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR ka dështuar në kryerjen e pagesave brenda afatit dhe se duhet zhbërë.
“Ne kemi patur problem pamjaftueshmërinë e parave për bujqit, tani që kemi para nuk paguajmë. Natyrisht AZHBR dështoi të paguante paratë brenda vitit dhe po e përsëris, duhet zhbërë nga themelet” thekson Braçe.
Postimi i Erion Braçes në rrjetet sociale
Më në fuuuund në punë!
“Më në fuuund” sepse dy javet e fundit është punuar 5 ditë në total, kaq shumë ditë pushim kishte dhe të tjera dhjetori, mund të jenë të vlefshme për rikuperim e konsum, por ka edhe nevoja të tjera ky vend; Njerëzit duan të marrin çfarë u takon dhe natyrisht të marrin edhe shërbim.
Për shembull;
Gjatë këtyre ditëve “pushim”, nga njerëz që punojnë, populli i fshatit është në punë pa pushim, kam marrë shumë mesazhe për “lekët e mbështetjes për nafte, bagëti etj”; Lexojini dy prej tyre këtu në vijim.
Sot mësoj se e kemi mbyllur vitin me 13 milionë euro mbështetje për bujqit në punë pa paguar, ndërkohë që kemi shtuar edhe 19 milionë euro me aktin normativ. Gjithsej, 32 milionë eurove për t’u paguar bujqve!
Ne kemi patur problem pamjaftueshmërinë e parave për bujqit, tani që kemi para nuk paguajmë.
Natyrisht AZHBR dështoi të paguante paratë brenda vitit dhe po e përsëris, duhet zhbërë nga themelet.
Këta njerëz duhet të jenë 24 orë në punë të paguajnë bujqit që nuk punojnë në zyra siç këta, por në fushë mes shiut, në sera të ngrira nga ftohti i fillimvitit, në stalla etj!
© Panorama.al












